Bashkia e Krujës ishte më e goditura nga dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.
Por edhe pse shiritat për njësitë e banimit të shtëpive të financuara nga fondacionet private janë prerë, institucionet shtetërore përgjegjëse të cilat po menaxhojnë miliona euro fonde të tërmetit, nuk janë shqetësuar për banorët e mbetur jashtë.
Euronews Albania ka siguruar dokumenta, të cilat tregojnë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fituesin për projektimin e 8 pallateve në bashkinë e Krujës vetëm 3 javë më parë.
Hartimi i projektit është hallka e parë që duhet të bëjnë institucionet për të nisur punën për ndërtimin e objekteve, por edhe pse kjo procedurë ishte parashikuar të mbyllej në verën e vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka përfunduar në fund të qershorit të këtij viti.
Ndërtimet për tërmetin e 2019-ës në shumë zona po përfundojnë, ndërsa për 8 pallatet në Krujë që do të akomodojnë afro 250 familje, nuk është bërë ende projekti.
Në kohën që institucionet vonojnë procedurat, mijëra euro derdhen çdo muaj nga buxheti i shtetit për të paguar qiratë e familjeve të pastreha.
8 pallatet në Krujë, edhe nëse çdo procedurë zbatohet në kohë, do të duhen të paktën 2 vjet të tjera që të ndërtohen.
Për këtë vonesë të krijuar nga Ministria e Rindërtimit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit buxheti i shtetit do të paguajë 1.2 milion euro qira shtesë.
Bashkia e Krujës është lënë pa fonde edhe për kolaudimin e punimeve të shtëpive që kanë përfunduar. Këtë vit kjo njësi vendore ka hapur 7 tendera për për një vlerë modeste prej 4 mijë eurosh për kolaudimin e disa banesave që janë rindërtuar me fondet e veta. Institucionet që kanë miliona euro për rindërtimin, nuk kanë kaluar paratë për kolaudimin e banesave, çka do t’u mundësonte familjeve të hynin në shtëpi.
Deri tani buxheti i shtetit ka financuar 557 milion euro për rindërtimin, (GRAFIK) shuma të cilat janë siguruar duke rritur borxhin publik, ndërsa Ministria e Rindërtimit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kanë harruar disa zona dhe kanë vendosur në prioritet qytete të tjera, duke krijuar edhe dëm ekonomik për qiratë që paguan buxheti i shtetit.