Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, përmes një deklarate për mediat ka dhënë detaje nga operacioni i sotëm i shtrirë në disa qytete, kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Rrumbullaku tha se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1 milionë euro, armë zjarri, celularë, automjete, etj.
Ai tha gjithashtu se 4 efektivë policie kanë qenë të përshirë në këto veprimtari të paligjshme.
Sipas tij, operacioni u krye nën drejtimin e SPAK, gjë që sipas tij tregon edhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy institucioneve.
“Është vendosur me urdhër të SPAK caktimi i masave “arrest me burg” dhe “arrest me shtëpi”, “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Pezullimin e ushtrimit të detyrës në shërbimin publik” për 24 persona dhe janë shpallur në kërkim dy prej tyre të dyshuar për kryerjen e veprës penale ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentash, grup kriminal dhe korruptim i punonjësve publik.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 13 automjete, 50 telefona, 3 pistoleta, 1 çifte, 50 fishekë, 520 mijë lekë të reja, 400 mijë euro, 700 mijë dollarë amerikanë, 4 mijë paund, 2 doza kokaine, kanabis dhe dokumenta të falsifikuara.
Hetimi i kryer nga Policia në rrethet Vlorë, Fier, Kukës, Durrës, Shijak dhe Tiranë, ku u vunë nën hetim edhe punonjës të Policisë. Ky hetim i shërbeu edhe Policisë për vetëpastrimin e saj. Për 4 punonjësit e Policisë të përfshirë në këtë aktivitet kanë nisur procedurat përkatëse. Operacioni i sotëm është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe Policisë”, tha Rrumbullaku.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rrumbullaku në Shkodër, RENEA “blindon” zonën në kërkim të autorëve të plagosjes
- Prençi: Informacionet sekrete që mori Rrumbullaku në 21 Janar dhe masat që morëm