Policia e Shtetit ka kryer kontrolle të shumta në rrethin e Krujës gjatë 3 ditëve të fundit ku janë zbuluar 400 fidanë kanabis në Fushë Thumanë.
Fidanët janë gjetur në një serë të ngritur në një parcelë publike dhe policia nuk ka identifikuar autorin e këtij rasti.
Kontrollet janë kryer nga Policia e Krujës, me mbështetjen e 10 grupeve të FNSH Tiranë dhe Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Për të kontrolluar territorin po përdoren dronë, kamera dhe mjete të tjera që iu shërbejnë punonjësve të Policisë, për të kontrolluar sa më mirë territorin.
Gjatë 3 ditëve të fundit janë kontrolluar 250 sera, 56 shtëpi të braktisura, tunele, territor i pyllëzuar, sipërfaqe publike dhe shtetërore.
Kontrolle janë ushtuar në ambiente të ndryshme, për të cilat policia ka pasur informacione se mund të përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave.