Vrasja e gazetares Daphne Caruana Galizia (Maltë, 2017)
Gazetarja e investigative Daphne Caruana Galizia u vra në 2017. Dy vite pas skandalit, tre zyrtarë të lartë nga kabineti i Ministrave kanë dhënë dorëheqjen si dhe vetë Kryeministri i vendit, Joseph Muscat, ka premtuar se do të lërë detyrën në janar të 2020-s.
Sakaq, tre persona janë në pritje të gjyqit për vrasjen e 53-vjeçares, por autoritetet nuk e kanë gjetur ende se kush ishte porositësi i vrasjes.
Për Euronews, Herman Grech redaktori i “The Times of Malta”, tha se çështja ishte një leksion nga i cili edhe Europa duhet të mësojë, nga rëndësia e gazetarisë së pavarur deri tek vëzhgimi i institucioneve i të gjitha vendeve, “edhe shteteve më të vogla”.
“Nga pikëpamja sociale, ngjarja pasqyron sesi populli e kthen një sy qorr ndaj nepotizmit dhe korrupsionit teksa ushqehet nga altari i lakmisë,” tha ai.
Mbretëria e Bashkuar voton për tu larguar nga Bashkimi Europian (2016)
Brexit i ka kushtuar Mbretërisë së Bashkuar dy kryeministra, dy zgjedhjeve dhe ka mbizotëruar politikën britanike, që nga dita kur një pakicë britanikësh votoi për tu larguar nga Bashkimi Europian.
Asokohe, ekspertët e shihnin Brexit si fillimin e fundit të BE-së – duke parashikuar një “Frexit” francez, “Nexit” holandez, e kështu me radhë – por, në fakt ka dalë e kundërta, thotë Tim Bale për Euronews, profesor i shkencave politike në Universitetin e Mbretëreshës Meri në Londër.
“Brexit, në të vërtetë i ka bërë disa Europianë, të cilët ndoshta e kishin harruar se sa e rëndësishme është BE-ja për ta, që të kuptojnë vlerën e saj”, thotë Bale.
“Sondazh pas sondazhi duket qartë se gjithmonë e më pak qytetarë të BE-së shfaqin entuziazëm mbi idenë se vendi i tyre duhet të marrë shembullin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të dalë nga BE-ja”.
Marrëveshja e Klimës në Paris (2015)
Kur 195 shtete nënshkruan Marrëveshjen e Klimës në Paris më 12 dhjetor 2015, ata bënë një premtim se do të përpiqeshin të ulnin rrezikun që vijnë nga ndryshimet klimatike. Kështu, këto shtete shprehën vullnetin për të ulur emetimet e karbonit dhe për të parandaluar një rritje mesatare të temperaturës me më shumë se 1.5 gradë Celsius.
Lajmi i mirë: politikat e mjedisit në rang Europian dhe ndërmjet vendeve që kanë firmosur marrëveshjen kanë ndryshuar me të vërtetë, tha për Euronews Prof Dr Richard J.T. Klein, studiues në Institutin e Mjedisit në Stokholm. Mbi të gjitha ai parashikon se Pakti i Gjelbër Europian do të transformojë shumë sektorë ekonomik që krijojnë emetimet e gazrave serë.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Marrëveshja e Klimës, shtetet Europiane janë të vendosura për t’i qëndruar e për t’iu përkushtuar zotimit të tyre.
Lëvizja #Metoo dhe Marshimet e Grave (Europë, 2017)
Pas publikim të akuzave për abuzim seksual kundrejt Harvey Weinstein, producentit të njohur Hollivudian, në tetor 2017 lëvizja #Metoo arriti në një shkallë globale.
Avokati i Popullit Europian Emily O’Reilly tha për Euronews se: “Lëvizja #Metoo ka të bëjë me fuqizimin. Ajo i lejoi gratë në Europë dhe kudo tjetër në botë të ngrenë zërin e tyre për të rrëfyer eksperiencat e ngacmimeve seksuale dhe mbi të gjitha të bëheshin të vetëdijshme se kulturës së mëparshme të heshtjes dhe mohimit, i kishte ardhur fundi”.
Më shumë se 7 milion gra kanë protestuar në marshimet e grave në mbarë botën.
Disa vende si Franca, Spanja dhe Italia shpikën versionin e tyre të #Metoo, si për shembull #BalanceTonPorc në Francë dhe #Cuéntalo në Spanjë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Fallon, Sekretari i Mbrojtjes, dha dorëheqjen në kuadër të akuzave për sjellje të papërshtatshme. Ndërsa, në disa vende të Ballkanit dhe Europës Lindore, ashtu si edhe në Gjermani, ka qenë më e limituar ndikimet kanë qenë disi më të kufizuara.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia (2014)
Kur Ukraina shpalli në shkurt të 2014-s se “disa burra të veshur me të gjelbër” kishin nisur të “kapnin” disa institucione në Krime, Vladimir Putin e mohoi se ata– të veshur dhe të armatosur nën simbole ruse – ishin rusë. Në prill, ai pranoi se ishin.
Por deri atëherë, në Krime u votua një referendum, rezultatet e të cilit qenë mjaft të dyshimta me 97 për qind të qytetarëve “pro” bashkimit me Rusinë. Edhe në Kombet e Bashkuara u votua 100-11 për ta dënuar lëvizjen e Moskës, ndërsa BE-ja vendosi sanksione. Por pesë vite më pas, Krimeja është ende nën sundimin e Rusisë.
Edhe pse Putin është tërhequr nga pushtimi i rajonit të Donbasit, aneksimi i Krimesë ka alarmuar ish-republikat sovjetike Europiane, si Lituania dhe Estonia, teksa pasqyron polarizimin e madh në të cilin gjendet Europa, ku në një krah shfaqet Bashkimi Europian e në tjetrin Rusia e Putinit.
Kriza e refugjatëve (2015-2019)
Ndonëse, refugjatë dhe emigrantë janë munduar gjithmonë të kalojnë ndërmjet Turqisë, Greqisë, Libisë apo Italisë për të arritur në Europë, tre mujori i parë i 2015-s ka shënuar numrin më të lartë të personave të mbytur në Mesdhe, duke shkuar nga 60 në 1,687 persona.
Në prill, rreth 800 persona humbën jetën pasi një anije me refugjatë u përmbys, duke e shtyrë BE-në në votime për të zgjeruar edhe më tej operacionin e shpëtimeve detare, Triton.
Që nga 2016, kalimet nëpërmjet detit Mesdhe kanë rënë ndjeshëm, por ajo çka ka lindur si një nënprodukt i krizës së refugjatëve, ka qenë një rritja e partive të krahut të djathtë në Europë, me udhëheqës nga Hungaria si Viktor Orban, tek Aleanca për Gjermaninë (AfD), tek Lega e Italisë dhe Partia e Brexit në Britani, të cilat, në krye të agjendës së tyre, kanë kundërshtimin e emigracionit.
Majdani (Ukrainë, 2014)
Në nëntor të 2013-s, presidenti ukrainas Viktor Yanukovych deklaroi se Ukraina nuk do të firmoste marrëveshjen e asociacionit me Bashkimin Europian. Brenda javës, një milion ukrainas pushtuan rrugët e qytetit dhe në shkurt – pas disa muajsh protesta – Yanukovych ia mbathi në Rusi.
Në 2014, Rusia aneksoi Krimenë, e cila qëndron sot e kësaj dite nën sundimin rus, si dhe nisi luftën në krahinën lindore të Donbasit, midis separatistëve rusë dhe forcave ukrainase.
Duke sjellë këtë ngjarje ndër mend, janë të shumtë ata që besojnë se suksesi i protestave në sheshin Majdan të Kievit, ishte i vakët. Por ajo çka protestuesit i bënë të qartë Europës, ishte dëshira e popullit ukrainas për të qenë më pranë saj – protestat në Majdan nisën nën petkun e flamurit Europian – në një kohë, kur çështja e zgjerimit ishte një ndër pikat më të përfolura në BE.
Përpjekjet për Pavarësi në Katalunjë (2014-2019)
Përpjekjet e Katalonjës për të fituar pavarësinë nga Spanja janë përkeqësuar në dekadën e fundit. Së fundmi, nëntë nga dymbëdhjetë të akuzuarit e lëvizjes së pavarësisë u dënuan me burg për kryengritjen e tetorit të 2019-s.
Kristian Herbolzheim, drejtori i Institutit Ndërkombëtar Katalanas për Paqe (ICIP) shpjegon për Euronews se kërkesa për pavarësi e Katalonjës “paraqet një sfidë të madhe” për BE-në disa fronte.
Mbi të gjitha, Spanja është duke bllokuar përpjekjet e Kosovës për të hyrë në BE nën pretendimin se do të vendoste një precedent për rajonet si Katalonja.
Pakti Nuklear i Iranit (Europë 2015-2019)
Në 2015, pas shumë negociatash Irani ra dakord që të firmosë marrëveshjen me SHBA-në, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për programin e tyre nuklear. Irani pranoi të kufizonte aktivitetet nukleare si dhe pranoi inspektimet e ekspertëve ndërkombëtar në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
I njohur si “Pakti Nuklear I Iranit” jo vetëm që i dha një shkallë relativisht të lartë sigurie Europës se Irani nuk do të ndërmerrte operacione ushtarake nëpërmjet programit nuklear, por gjithashtu “lejoi vendet Europiane të ndjekin interesat e tyre ekonomike me Iranin sërish” tregon për Euronews Xanthe Hall , bashkë-drejtuesi i filialit gjerman të organizatës fituese të çmimit Nobel “Mjekë Ndërkombëtarë për Parandalimin e Luftës Bërthamore”.
Por, në 2017 Presidenti Donald Trump shpalli se Shtetet e Bashkuara do ta braktisnin marrëveshjen duke rivendosur sërish sanksione.
“Në Iran, marrëveshja e ka përforcuar narrativen e forcave konservatore në politikë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë një partner i besueshëm. Gjithashtu, tërheqja e SHBA i ka demonstruar Iranit se BE-ja nuk mund të imponojë pushtet vis-à-vis me Shtetet e Bashkuara, as për të mbrojtur marrëveshjet për të cilat ka rënë dakord”.
Supremacizmi i Bardhë dhe Terrorizmi Islamik
Vendet europiane kanë qenë në qendër të shënjestrës nga sulmet terroriste në dekadën e fundit. Pas mposhtjes së Al Kaedës dhe të ashtuquajturit Shtetit Islamik, ka pasur më shumë sulme nga individë të vetëm, të cilët e kanë lidhje me grupe specifike Islamike radikale, supremacistësh të bardhë apo grupe separatiste.
Ndër ngjarjet që mund të sjellim ndër mend janë: sulmi në Norvegji në 2011, sulmi në Paris në 2015, sulmi në Nis në 2016 dhe ai në tregun e Krishtlindjeve në Berlin. Gjithashtu, dhe në Mbretërinë e Bashkuara ka pasur një numër të pazakontë sulmesh, si vrasja e parlamentarit Jo Cox në 2016, sulmi në Urën e Londrës dhe bomba në stadiumin “Manchester Arena” në 2017.
Edhe pse në rang botëror terrorizmi është në rënie, sulmet e të djathtës ekstreme në vendet Perëndimore janë në rritje duke shënuar një rritje prej 320 për qind në pesë vitet e fundit, sipas Indeksit të Terrorizmit Global (GTI).
Sipas të njëjtit raport, Mbretëria e Bashkuara renditet në vend të 28-të si vendi më i prekur në botë – rekordi më i lartë për një komb të Europës Perëndimore.