181 shtetas vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm, 122 prej të cilëve në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Ligji i ri për punësimin e të dënuarve kundrejt pagesës ka nisur të zbatohet.
Euronews Albania takoi Kastriotin, i dënuar në burgun e Durrësit për vjedhje me armë të një turisti.
35-vjeçari u arrestua dy vite më parë dhe tashmë është punësuar në kuzhinën e burgut ku gatuan për vete dhe të dënuarit e tjerë.
“Çohem në mëngjes, në orën 9 e marr punën, gatuaj deri në 2 e iki në dhomë, kjo është dita ime. Më kanë dënuar për një vjedhje 8 vjet burg, kam thuajse edhe 5 vjet e gjysmë burg,” – u shpreh Kastrioti.
Puna nuk do të jetë vetëm një mënyrë për të kaluar kohën, por do t’i sjellë dhe të ardhura.
Shqipëria ka 24 burgje, nga Saranda në Shkodër. Ato klasifikohen në 7 paraburgime, 9 burgje të sigurisë së zakonshme dhe 5 të sigurisë së lartë.
Spitali i burgut, instituti për të miturit në Kavajë dhe burgu i grave plotësojnë hartën e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Sipas të dhënave zyrtare në qeli janë në total 5059 të dënuar dhe paraburgosur.
Bie në sy fakti se 60 % e të burgosurve, rezultojnë të dënuar ose arrestuar për drogë, vrasje dhe vjedhje. Akuzat e tjera si mashtrim, plagosje apo organizatë kriminale zënë një përqindje fare të vogël të veprave penale.
Grupmosha më e përhapur është nga 30 deri 40 vjeç. 15 janë të mitur dhe 176 janë nga 60 deri në mbi 80 vjeç.
547 persona janë dënuar nga 5 – 10 vjet, 408 të tjerë 10 – 20 vjet dhe 335 nga 20 – 25 vjet burg.
LEXONI GJITHASHTU: