Tani janë më shumë se 200 mijë raste personash të infektuar me coronavirus në të gjithë botën, dhe më shumë se 8000 kanë humbur jetën.
Kina, ku coronavirusi COVID-19 u shfaq për herë të parë, para disa muajsh, vazhdon të ketë numrin më të lartë të të prekurve.
Por prej pak ditësh, numri i të prekurve jashtë Kinës është më i madh.
Zhong Nanshan, kreu i ekipit mjekësor kinez që u mor me përgjigjen ndaj coronavirusit, i bëri thirrje Europës që të marrë masa më të ashpra kundër përhapjes.
“Mos prisni sa të jetë shumë vonë”, tha ai.
Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord që të mos lejojnë hyrjen e personave të huaj në BE për 30 ditë, ndërkohë që disa nga vendet kanë mbyllur çdo veprimtari në publik për të mos lejuar përhapjen e virusit.
Por Zhong Nanshan tha se ndonëse disa vende janë duke i zbatuar masat, në vendet e tjera njerëzit dalin për kafe e vazhdojnë të takohen me miqtë.
“Kjo lloj karantine nuk funksionon ashtu”, tha ai, teksa këshillon të ashpërsohet reagimi.
Në SHBA, Presidenti amerikan njoftoi mbylljen e kufirit me Kanadanë, si rrjedhojë e një vendimi të përbashkët midis dy vendeve.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se kanë pasur mbështetje për masat e marra, ndërkohë që Europa është kthyer tani në qendrën botërore të virusit.
Italia është vendi i dytë pas Kinës për numrin më të madh të vdekjeve, gati një të tretën e gjithë vdekjeve në botë që janë shkaktuar nga COVID-19.
Një nga arsyet që ka ndihmuar për situatën është se Italia renditet e dyta në botë për popullsinë e plakur, menjëherë pas Japonisë.
Franca dhe Spanja po ashtu kanë pasur një numër të madh infektimesh dhe vdekjesh, dhe të dyja kanë nisur të marrin masa duke bllokuar qarkullimin e njerëzve dhe të makinave.
Mbretëria e Bashkuar, e cila pa 400 të infektuar brenda 24 orësh, u bëri thirrje britanikëve të largohen nga lokalet, klubet e restorantet, por gjithsesi, nuk i kanë mbyllur. Madje, as shkollat dhe veprimtari të tjera.
Qeveria britanike, ndërkohë, ka caktuar 360 miliardë euro në kredi për bizneset vendase, për t’i mbrojtur nga pandemia.