21 persona raportohet se kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i mjeteve piroteknike (fishekzjarret) në Kosovë.
Sipas mediave të Kosovës, mësohet se ata janë paraqitur gjatë orëve të fundit në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ndërkohë që njëri nga pacientët është plagosur nga një plumb qorr dhe tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve.
Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftalmologjisë. Po ashtu të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.
Kështu bën të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, derisa potencon se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç.
Syla shtoi se gjatë 18 orëve të fundit në Shërbimin Emergjent janë pranuar rreth 217 pacientë.
“Diku janë 18 orë, deri tani kemi pasur 217 pacientë që kanë kërkuar ndihmë në Shërbimin Emergjent. Prej tyre 21 raste kanë qenë të lënduar me mjete piroteknike. Në këtë rast hyjnë edhe një që ka qenë me armë zjarri, domethënë me plumb qorr. Prej këtyre 21 rasteve, dy janë në gjendje të rëndë, kurse të tjerët janë trajtuar dhe lëshuar në shtëpi. Kurse dy janë pranuar, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, një fëmijë të dyvjeçar, kurse tjetri në Klinikën e Oftalmologjisë, për shkak se e ka syrin në rrezik…Moshat janë fëmijë 6-vjeçar deri 60”, tha Syla.
LEXONI GJITHASHTU:
- Viti i Ri 2024 në Shqipëri, raportohet për 2 të lënduar
- Viti i Ri në Pakistan pritet pa fishekzjarre, shenjë solidariteti për palestinezët