Edhe pse u tha se situata e sigurisë nuk duket e favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në veri, sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, nuk ka asnjë arsye që këto votime të shtyhen.
“Nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave atje por edhe të refuzimit të Listës Serbe, është e qartë që segmente të caktuara atje të mbështetura nga Serbia refuzojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe refuzojnë demokracinë atje, tani ne si institucionet të Republikës së Kosovës kemi obligim që qytetarëve atje tu ofrojmë shansin për jetë të qetë dhe për rregullim demokratik jemi të obliguar”, tha Sveçla.
Ai gjatë raportimit para komisionit parlamentar për integrime ka thënë se e gjithë MPB dhe policia do të jenë në dispozicion të Komisionit Qendror te Zgjedhjeve.
“Sa i takon çështjes së zgjedhjeve Policia e Kosovës por edhe gjithë MPB është në dispozicion të KQZ-së në mënyrë që këto zgjedhje të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm. Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë dhe të sigurt qoftë për organizatorët, po ashtu edhe për vetë qytetarët atje, janë çështje e vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje për këtë jemi të gjithë dëshmitar”, u shpreh Sveçla.
Se nuk do të ketë shtyrje e vërteton edhe vendimi i KQZ rreth qendrave të votimit, që është marrë gjatë mbledhjes këtë të premte.
Në mbledhjen e KQZ-së është vendosur që nga 44 qendra të votimit në veri, në të cilat janë zhvilluar zgjedhjet në të kaluarën, më 23 prill do të hapen vetëm 6 prej tyre.
Po ashtu do të hapen edhe 13 qendra te tjera alternative, qe jane konteinere qe do te vendosen ne prona publike në veri të vendit.
Po ashtu, u miratua rekomandimi për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për këshillat e komunave: Zveçan dhe Leposaviç.
LEXONI GJITHASHTU:
- Policia e Kosovës konfiskon 174 pajisje kriptovalutash në Veri
- Berisha: Si Specialja në Kosovë, u shkëmbye Gjykatën në Siri. Roli i Rusisë