Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 250 mijë euro si përkrahje financiare për Koalicionin Global Kundër ISIS.
Ky vendim vjen si pjesë e kontributit vjetor që ky shteti ndan prej disa vitesh si anëtare e këtij grupi.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se Kosova, si vend i prekur nga terrorizmi, është e rreshtuar përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtje të paqes në botë.
Përveç ndihmës financiare, Haradinaj shtoi se Kosova është e gatshme të përkrahë koalicionin edhe në aspektin ushtarak dhe atë inteligjencës.
Ai komentoi edhe zhvillimet politike në vend, duke thënë se përgjegjësia për krijimin e qeverisë së re i takon partisë fituese të zgjedhjeve.
Haradinaj mohoi të jetë kontaktuar nga ndonjëra prej partive të përfshira në bisedimet për formimin e Qeverisë së re për mundësinë e përfshirjes së partisë së tij në ndonjë marrëveshje eventuale.
Kryeministri në detyrë po ashtu, foli për nevojën e formimit të qeverisë së re edhe për shkak të afrimit të afateve ligjore për miratimin e buxhetit për vitin 2020, duke përmendur 1 prillin si datë të fundit kur buxheti duhet të jetë i miratuar ose në të kundërtën, sipas tij, shteti do të përballje me kolaps financiar.