Dënimi i marrë nga UEFA mund t’i kushtojë shtrenjtë Manchester City. Kampionët e Anglisë shpresojnë se mund të ndryshojnë diçka në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por beteja me organin më të lartë sportiv në kontinent nuk pritet të jetë aspak e lehtë.
Skuadra nga Mançesteri akuzohet se nuk ka qenë korrekte me kontratat e sponsorizimeve dhe diçka e tillë ka krijuar shkelje në procedurat e licencimit.
Sipas llogaritjeve të mediave angleze, nëse Mançester Siti nuk do të garojë në asnjë kompeticion ndërkombëtar në dy edicionet e ardhshme, atëherë do të rrezikojë që të ketë një humbje prej 250 milionë paundësh. Një shifër e konsiderueshme dhe që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek skuadra.
Vendimi i CAS, që me shumë gjasa do të jetë me procedura të përshpejtuara, do të ketë në dorë fatin e skuadrës kampione të Anglisë, që mund të marrë një goditje mjaft të madhe sa i përket anës ekonomike.
UEFA përjashtoi gjigandin e futbollit anglez, Manchester City nga Champions League, me argumentin se kishte kryer shkelje të rënda të rregullave të organit drejtues për sa i përket “fair-play”.
UEFA tha se kampionët e Premier Ligës kishin mbivlerësuar të ardhurat nga sponsorizimet midis viteve 2012 dhe 2016.
Rregullat qenë krijuar që të pengonin klubet e pasura të shkatërronin futbollin duke shpenzuar shumë të mëdha parash mbi lojtarët. Ish-presidenti i FIFA, Michel Platini, e ka quajtur praktikën e shpenzimeve marramendëse si “doping financiar”.