Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm për një afat 1-vjeçar të dënuarit Viktor Ymeri alias Viktor Bajraktari, Klement Çala dhe Eldi Çala.
Vendimi i Ministrit të Drejtësisë vjen pas një bashkëpunimi të ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit SPAK, DBP, Policia e Shtetit, SHISH, SHKB.
Viktor Ymeri është dënuar me 25 vite burg për një vrasje të dyfishtë në 1999, ku mbetën të vdekur Arben Paja dhe Ilir Xhunga. Këtë dënim ai e përfundoi në dhjetor 2019 duke përfituar ulje.
Në dhjetor 2020, Ymeri u arrestua sërish me urdhër të SPAK pas rihapjes së dosjes për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005.
Ndërsa dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë të akuzuar për grabitjet pranë aeroportit të Rinasit.
Dy vëllezërit nga Elbasani dyshohen si organizatorët kryesorë të grabitjeve të dhjetëra miliona euro.
SPAK kë kërkuar 24 vite burg për Klement Çalën dhe 19 vite për vëllain e tij, Eldi Çala.
Regjimi i rreptë në burgjet shqiptare ka nisur të zbatohet që prej mesit të vitit 2020.
Masa është përdorur kryesisht ndaj të dënuarve për krime të rënda dhe që janë pjesë e grupeve kriminale.
Termi i përdorur ’41-bis’ është nga një ligj i miratuar në Itali dhe njihet ndryshe si ‘regjimi i fortë në burg’.