Kjo e premte 19 korrik, shënon dhe 32-vjetorin e vrasjes së gjyqtarit Italian Paolo Borsellino nga mafia italiane.
Shpërthimi i një makinë me 500 kg tritol bëri që Paolo Borsellino të ndërronte jetë në via D’Amelio ku sapo kishte zbritur nga makina për të takuar të ëmën e tij.
Në një intervistë për Euroneës Albania, i vëllai i Borselinos, Salvadore, tha se atë nuk e vrau vetëm mafia, por ajo ndodhi në bashkëpunim me autoritetet shtetërore.
Salvadore Borsellino shtoi se ngjarja do të zbardhej e plotë nëse shërbimi sekret nuk do të fshihte ditarin e Borsellinos, që u mor nga makina e tij.
“Axhenda e kuqe ekziston akoma por ndodhet në bodrumet e ndonjë godine në Romë, me siguri në bodrumin e godinës së shërbimit sekret. Ishin shërbimet sekrete dhe jo mafia që e zhduku atë axhendë. Është e vështirë që kjo axhendë të dalë në dritë, pasi do të nxirrte të vërtetën e masakrës së rrugës D’Amelio, do të dilnin në dritë motivet e vërteta të asaj masakre, ndërkohë që po bëhej gjithçka për ta fshehur atë të vërtetë. Ka pasur përpjekje nga institucionet qeveritare dhe parlamenti si një vrasje që e ka bërë vetëm mafia, por ajo është një masakër shtetërore, sikur ka pasur shumë të tjera që kanë ndodhur në vendin tonë.
Masakrat janë kryer nga krahu i armatosur i shtetit që ka qenë në disa raste mafia ose grupet terroriste. Ishte dora e një zyrtari të karabinierëve që është fotografuar teksa ka marrë axhendën e kuqe nga makina e Borsellinos.
Përgjegjësit duhet t’i thotë magjistratura por vendimet e fundit gjyqësore kanë qenë në drejtim të kundër, për ta paraqitur vrasjen vetëm si një vrasje mafioze”, tha ai.