Kosova ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore. Vendimi erdhi pak orë pasi numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë shkoi në 9, teksa sot u konfirmuan 4 raste të reja.
Lajmin e bëri me dije ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili përmes një postimi në faqen e tij në Facebook shkruante se nisur nga situata i kishte kërkuar kryeministrit Albin Kurti të shpallte gjendjen e emergjencës shëndetësore.
“Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19.
Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.
Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente”, shkruan ai.