Prej 4-së vitesh nxënësit e Shkollës së Bashkuar Shezë në Peqin ndjekin mësim në shkollën e fshatit Pekisht. Tërmeti i rënë në vitin 2019-të e nxori godinën jashtë funksionit, ndërsa komisioni i vlerësimit të dëmeve e cilësoi të rrezikshme dhe të pabanueshme. Që nga ajo kohë rreth 200 nxënës detyrohen çdo ditë të ndjekin mësim në shkollën e Pekishtit, 5 kilometër, larg fshatit të tyre.
Ndonëse disa herë pushteti lokal ka premtuar rikonstruksionin e shkollës së Shezës, asnjë masë nuk është marrë. Prindër të fëmijëve, shprehen të shqetësuar për zvarritjen e procesit të rikonstruksionit të shkollës, ndërsa apelin ia përçojnë direkt Bashkisë Peqin.
“Shumë vështirë është do ti çosh e do ti marrësh. Shumë e vështirë dhe nuk janë aq mirë me mësime siç ishin më përpara që ishin në vend ktu, i mbanin për studime mbarpa e ishin me mirë. Kurse tani s’ka, çoj futi në fugon e nisi për shpi. Këtu i presin prindërit. Po lëre këtu së është içik afër po ata që janë më larg, nga Grykshi andej nga Trashi, po Nalgjina që kufizohet me Lushnjën, shume keq. ”
Administratori i Njësisë Shezë, Shefqet Tabaku, i bashkohet shqetësimit të banorëve. Ai thotë se godina ka nevojë imediate për riparim .
“Shkolla Sheze, në shtator të vitit 2018 ka shkuar nga Sheza ne Pekisht. Është shumë e vështirë pasi është rreth 4 Km nga këtu për të shkuar në Pekisht. Pavarësisht se është autobuzi ka nxënës që janë dhe të largët. Ka nxënës nga fshati Nalgjin që është 3 Km për të ardhur në qendër pastaj do të marrin autobuzin. Terreni për të shkuar në Nalgjin është shumë i vështirë është rruge e degradume. Dhe shkolla e Pekishtit është me keq se kjo është e degradume. “
Ndonëse disa herë komuniteti i zonës është ngritur në protestë dhe ka paralajmëruar se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë derisa të nisin punimet në shkollën e tyre janë detyruar të tërhiqen pas. Duket se jo vetëm këtë vit, por dhe vite të tjera që do të pasojnë nxënësit e fshatit Pekisht do të marrin dije në një fshat tjetër.
LEXONI GJITHASHTU:
- Presidentja pro-perëndimore e Moldavisë kërkon edhe një mandat presidencial
- “Ngrohtësia e dashurisë së Zotit qoftë me ju”, Meta uron besimtarët për Krishtlindje