Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga Port au Princ, kryeqyteti i Haitit, për t’i shpëtuar valës së dhunës së bandave që ka përfshirë vendin.
Sipas të dhënave të OKB-së, mbi 53 mijë banorë janë larguar në periudhën 8 deri më 27 mars. Organizata ka paralajmëruar se rajonet rurale ku janë strehuar të arratisurit nuk kanë kapacitete për t’u përballur me një fluks kaq të madh të zhvendosurish.
Ndërkohë, bandat e armatosura po sulmojnë bizneset në kryeqytet, duke u vënë flakën farmacive dhe duke vandalizuar shkollat.
Policia e shtetit të Karaibeve ia arriti të zmbrapste me sukses një sulm ndaj pallatit presidencial ditën e hënë, por persona të armatosur bastisën selinë e Universitetit Spitalor Shtetëror.
Institucioni ishte mbyllur që prej muajit të kaluar për shkak të trazirave dhe do të rihapte dyert këto ditë, por dëmet e shkaktuara nga bandat kanë gjasa ta shtyjnë hapjen e tij.
Aksesi tek shëndetësia, që është shumë i kufizuar, është bërë më i vështirë pasi grupet e dhunshme plaçkitën një spital dhe një qendër shëndetësore.
Bandat kriminale në vend kontrollojnë jo vetëm portin kryesor të kryeqytetit Port au Princ, por edhe rrugët kryesore të tij, duke vështirësuar transportin e furnizimeve mjekësore.
Të bashkuara në një aleancë të pazakontë, ato kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe marrjen vetë nën kontroll të pushtetit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Shembja e rendit dhe ligjit në vend, dorëhiqet kryeministri i Haitit
- Bandat liruan rreth 4,000 të burgosur, Haiti shpall gjendjen e jashtëzakonshme