English

6 dekada dijebërëse e xhubletës, File Kola mban gjallë traditën fisnike malësore

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Për malësorët, xhubleta është një veshje e stiluar nga zanat e malit që i ka shoqëruar ata në çdo gëzim apo hidhërim

- Advertisement -

Me një gjenezë më shumë se 4 shekullore, xhubleta është një trashëgimi e çmuar e Kelmendit, por dhe krahinave në veri të Shqipërisë.

File Kola, që në moshën 7-vjeçare ka mësuar nga familjarët e saj profesionin e të bërit të xhubletës dhe sot 6 dekada më vonë, e ruan me fanatizëm traditën.

“Mua më ka punuar nëna, më herët s’e mbaj mend se nuk i kam arritur gjyshet, por nëna e tezja. Tezja ka qenë shumë më punëtore se të gjitha ne, është marrë gjithmonë me këtë punë”, tregon File Kola.

Çdo pjesë në xhubletë ka një kuptim specifik që lidhet me traditat dhe zakonet e zonës.

“Xhubleta është veshja më e vjetër mbi 4 mijë vjeçare. Ka shumë histori që vetë nuk di t’i them të gjitha, por disa po. Çdo punë e çorapit dhe e xhubletës e ka pasur domethënien e saj. Për shembull iva e rruzës ka pasur domethënien e lules që ti ke qëndisur. Ke pasur çorape me gjarpër për shembull, e është bërë gjarpri me rruaza nga fund e deri në fillim. Pra, e ka pasur një domethënie që sipas thënieve gjoja me prit gjarprin mos me ngrënë bagëtinë, sepse në atë kohë kanë pyetur vetëm si i ke njerëzit dhe bagëtinë, pra nuk i kanë ndarë nga rëndësia”, thotë ajo.

Xhubleta që ju po shikoni ka një rëndësi të madhe për Filen, pasi është trashëguar nga të paktën 4 breza.

Njohja e lahutës si pasuri e Serbisë nga UNESCO ka mërzitur jo pak malësorët, të cilët theksojnë se nëse nuk do ishte nxitur ky proces, e njëjta do kishte ndodhur edhe me xhubletën.

“Për ne ka qenë një simbol i mirë që ka hyrë xhubleta në UNESCO se edhe pak të qëndronim ne, jo ne po ju dhe faleminderit prej jush, edhe pak të qëndronim fjetur, na e morën si lahutën, pra si 2 simbolet më të rëndësishme kombëtare”, shprehet e moshuara.

Specialisti i trashëgimisë jomateriale pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Petrit Bilali thekson se është për t’u vlerësuar ruajtja me fanatizëm e xhubletës nga veriu i Shqipërisë si një vlerë e identitetit kombëtar.

“Zona e veriut të Shqipërisë ku gjallon xhubleta, identifikohet nëpërmjet xhubletës, e ka ruajtur xhubletën, e ka dashur xhubletën dhe të gjitha komunitetet bartëse të xhubletës të dijebërjes së xhubletës dhe të elementit që e kanë jetëzuar dhe e kanë vesh tregon që komuniteti i Malësisë së Madhe, Kelmendi, komuniteti i Dukagjinit, komuniteti i Pukës edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, i Malësisë së Madhe në pjesën e Tuzit, në malësi të Ulqinit dhe të rrafshit të Dukagjinit në Kosovë janë ndjerë shumë krenarë për këtë element dhe na e kanë sjellë të gjallë deri në ditët e sotme”, shprehet Bilali.

Xhubleta u bë pjesë zyrtarisht në UNESCO pas një procesi të gjatë dhe zyrtarisht bëhet i pari objekt i trashëgimisë jo materiale i mbrojtur nga veriu i Shqipërisë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×