English

“77 marrëveshje të nënshkruara në letër duhet të zbatohen” – takimi i “vështirë” Kurti-Rama në Tiranë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ky është vetëm takimi i parë zyrtar, dhe me sa duket kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk pati një përgjigje për bagazhet e vjetra ku mbarten marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë pas 77 marrëveshjeve të firmosura në letër, siç numëroi jo pa bezdi Kurti.

- Advertisement -

“Do të formojmë një komision ndërshtetëror që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja”, – tha kreu i ri i qeverisë së Kosovës.

Mikpritësi i Tiranës nuk ja kurseu përmendjen si kryeministër i ri në detyrë Albin Kurtit, kur kërkoi shpejtësi të re, jo vetëm marrëveshje të reja.

“Albini e quan fillim i ri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme, sepse faktikisht kemi shumë marrëveshje. Një pjesë e tyre kanë ecur mirë, një pjesë e tyre nuk kanë ecur mirë”, – tha kryeministri shqiptar.

Pas Pejës, Shkodra do të jetë qyteti ku do të mblidhen dy qeveritë në muajin mars.

Menjëherë pas takimit me Kryeministrin, Albin Kurti shkoi në selinë e Partisë Demokratike për një takim të shkurtër me kreun e opozitës, Lulzim Basha në të cilin të dy nënvizuan nevojën për bashkëpunim pozitë-opozitë në të dyja anët e kufirit në të mirë të qytetarëve.

“Pozitë-opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare, por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe me varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë”, tha z. Kurti.

Nga ana e tij, kryedemokrati shprehu gjithë gatishmërinë për të ndihmuar në integrimin ekonomik të dy vendeve dhe punësimin e të rinjve.

“Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua”, – tha z. Basha.

Në mbyllje të vizitës së tij, z. Kurti takoi presidentin Ilir Meta i cili në një reagim në Facebook u shpreh se qeveria e kryeministrit të Kosovës i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë.

Ajo që duhet, sipas kreut të shtetit, është të konkretizohet partneriteti strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?