Afro 80 vizita në ditë kryhen nga mjekët pediatër në spitalin rajonal të Beratit, ku fëmijët e prekur nga virozat e stinës paraqiten me simptoma të gripit. Mjekët pediatër tregojnë se një pjesë e madhe e fëmijëve kanë nevojë për të marrë kurim në ambientet e spitalit.
“Ditët e fundit kemi pasur një rritje të numrit të fluksit të fëmijëve që janë paraqitur në shërbimin e pediatrisë në qendrën spitalore rajonale Berat. Numri i shtrime përgjatë një dite ka variuar 15 deri ne 16 shtrime në ditë të ndara këto në shtrime pavijoni dhe ditore, ndërsa numri i vizitave ka qenë 50-60 vizita në ditë gjatë ditëve të javës ndërsa ditëve të shtuna dhe të diela gjatë shërbimit 24 orarësh ky numër ka variuar deri ne 80 vizita”, thotë Briseida Doga, mjeke pediatre.
Përveç virozave të stinës, në këtë kohë shfaqet edhe sëmundja e varicelës, ose siç njihet në gjuhën popullore lija e dhenve. Mjekët bëjnë apel për prindërit që të mos neglizhojnë shenjat e para.
“Edhe ne kemi pasur raste me varicela ose me linë e dhenve në spitalin tonë. Këto raste kanë qenë të menaxhueshme kryesisht në shtëpi, shumë pak kanë qenë raste të shtruara në spital. Simptomat e para që duhet të vërejnë prindërit janë puçrrat të cilat shfaqen fillimisht në fytyrë e më pas në trup dhe në ekstremitete mund të shfaqen dhe në kokë dhe mund të shoqërohet me temperaturë dhe kruajtje të trupit. Prindërit duhet të kenë parasysh ta sjellin fëmijën për vizitë te mjeku pediatër për të konfirmuar diagnozën”, apelon mjekja.
Mjekët kërkojnë që fëmijët të shmangin ambientet e mbyllura dhe të populluara. Sipas shifrave, në repartin e pediatrisë së spitalit të Beratit hospitalizohen çdo ditë 15-16 fëmijë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Aksident në aksin Berat-Dimal, makina përplaset me shtyllën e tensionit të lartë
- Situata e reshjeve në Berat, disa zona mbeten pa energji elektrike