Me mijëra sirianë që janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre thonë se s’kanë vend tjetër ku të shkojnë përveçse Turqisë, dhe se shpresojnë të arrijnë deri në Europë.
Familje të tëra, burra, gra e fëmijë, i janë larguar dhunës së luftës në Idlib dhe janë vendosur në qyteza kufitare turke si Atmehu, ku kufiri me Sirinë ndahet me blloqe të mëdha betoni dhe tela me gjemba.
“E vetmja zgjidhje është të futemi në Turqi, dhe nga Turqia në Europë, kudo që mund të na pranojnë”, thotë një sirian 33-vjeçar, Amer al-Ahmed. “Nuk kemi ku të shkojmë tjetër.”
Mark Loukok, zv/ Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështje Humanitare, tha se deri tani janë shpërngulur 980 mijë persona, gjysma e të cilëve janë fëmijë.
Këta njerëz janë duke u strehuar në vende të papërshtatshme, pa kushtet e duhura higjienike, të improvizuara përgjatë kufirit me Turqinë.
“Të gjithë duan të shkojnë në Europë sepse situata këtu është tragjike”, thotë Ahmed al-Kaled, një 36-vjeçar që shton se shpreson të hapen kufijtë sa më shpejt.
Përshkallëzimi i veprimeve ushtarake nga Rusia dhe Turqia në Idlib ka shtuar rrezikun për një përballje të superfuqive.
Të dyja vendet thonë se shpresojnë ta shmangin përplasjen, por pasi Turqia i shtoi sulmet kundër forcave siriane të mbështetura nga Siria, policia dhe ushtria ruse kanë ndërhyrë për të marrë një qytezë që kontrollohej nga rebelët sirianë që mbështeten nga Turqia.
Turqia, e cila ka dërguar mijëra trupa në Idlib për të luftuar forcat e Asadit, ka strehuar rreth 3.6 milionë civilë sirianë në territorin e saj dhe e ka mbyllur kufirin duke thënë se nuk përballon dot më shumë.