Në botë aplikohen prej vitesh programet e riciklimit të telefonave celularë, të pajisjeve elektronike dhe të baterive, në kuadrin e mbrojtës dhe pastërtisë së mjedisit. Kjo pasi është vërtetuar se pajisjet elektronike të cilat më pas shndërrohen në mbetje janë mjaft të dëmshme përmes çlirimit të materialeve të dëmshme. Me avancimin e vazhdueshëm të teknologjisë portative, konsumatorët ndërrojnë telefonat celularë rregullisht, por kjo prirje ka edhe anën e vet negative pasi telefonat e vjetër përfundojnë në fushat e plehrave. Elis Shabani, ekspert i teknologjisë si dhe drejtues në institucionin e qeverisë vendore tregon fakte dhe kuriozitete për këtë temë.
Çfarë përfitojmë nëse bateritë i hedhim në koshat e riciklimit?
Bateritë e hedhura direkt në natyrë do të bëjnë që këto elementë kimikë të përzihen dhe të ndotin mjedisin, ndikojnë në dëmtimin e lëkurës apo organizmit si dhe helmojnë zinxhirin tonë ushqimor. Përveç kësaj, është edhe humbje ekonomike pasi brenda tyre ndodhet material i mjaftueshëm për të bërë bateri të tjera të reja. Në fakt nëse ne zgjedhim t’i riciklojmë bateritë, mund ta bëjmë këtë në masë 100%.
Pse janë të dëmshme bateritë e konsumuara?
Bateritë një përdorshme, kanë përmbajtje të kimikateve të ndryshme dhe elementëve si plumb, kadmium, zink dhe litium. Bateritë alkaline mund edhe të hidhen në koshin e mbeturinave sapo ato ta përfundojnë funksionin e tyre, por kjo nuk është mënyra e duhur për shkatërrimin e tyre. Prandaj duhet të sigurohemi që t’i mbledhim bateritë në vende të posaçme të dedikuara për grumbullimin e tyre.
Çfarë thotë BE?
Sipas BE, rekomandohet që të mos hidhen bateritë e konsumuara në koshat e e zakonshëm të mbeturinave. Duke ricikluar bateritë e zbrazëta ne përmbushim standardet e Bashkimit Evropian dhe e bëjmë vendin tonë një ambient të shëndoshë për ne dhe brezat e ardhshëm.
Si janë statistikat në rang global?
Llogaritet se rreth çdo vit blihen 18 milionë celularë, por vetëm 5% e atyre që dalin jashtë përdorimit riciklohen. Disa celularë përmbajnë metale të çmuara si ari dhe argjendi, por edhe substanca toksike si kadiumi dhe mërkuri. Nëse ato përfundojnë në fushat e hedhurinave, paraqesin rrezikun e rrjedhjes në tokë duke ndotur mjedisin përqark. Po ashtu, ndërkohë që kompjuterët personalë bëhen gjithnjë e më popullorë dhe numri i atyre që zëvendësohen me modele më të rinj shtohet, vëllimi i mbetjeve elektronike në mbarë botën shtohet ndjeshëm.
Sa bateri konsumohen në Shqipëri për një vit?
Sipas një informacioni nga Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit, sasia e mbetjeve për bateri e raportuar për vitin 2018 ka qenë 808,500 kg, pra rreth 800 tonë.
***Ky shkrim është pjesë e projektit “Kujdesemi për mjedisin”, mbështetur nga Raiffeisen Bank.