Pas raportimeve në media dhe ankesave të shumë qytetarëve, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në tregun e shitjes me shumicë e pakicë të materialeve paramjeksore.
Euronews Albania ka raportuar për këtë situatë shqetësuese,ku materialet paramjekësore si maskat dhe dezinfektuesit e duarve pësuan një rritje të menjëhëreshme të çmimit, pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri me COVID-19. Abuzime ka pasur edhe në tregun e fruta-perimeve, ndërsa kjo situatë abuzive kryesisht është parë tek produktet e agrumeve.
Njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës:
“Nisur nga disa shqetësime në masmedia dhe ankesave të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të materialeve paramjekësore, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, realizoi një monitorim në këtë treg, i cili konsistoi në vlerësimin e sjelljes së ofruesve të këtyre materiale në të gjitha nivelet e tregtimit (shumicë dhe pakicë). Monitorimi u fokusua në tregtimin e materialeve dezifektant duarsh, alkool dhe maska, për të cilat kërkesa konsumatore ka qenë në rritje si pasojë e situatës së krijuar nga virusi COVID-19.
Nga verifikimi në terren konstatohen se:
1 tregu ka mungesë të materialeve në nivelin e tregtisë me pakicë (rrjeti farmaceutik),
2 rritje e pajustifikueshme e çmimit në të gjitha nivelet e tregtimit të këtyre materialeve (depo farmaceutike dhe rrjeti i farmacive). Nga sa më sipër, ka shenja të arsyeshme të një sjellje të mundshme antikonkurruese të ndërmarrjeve që operojnë në këto nivele tregtimi, e parashikuar në nenet 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar
PËR KËTO ARSYE:
Komisioni i Konkurrencës, bazuar në nenin 4 dhe 9, nenin 24, shkronja (d) dhe nenin 42 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar,
VENDOSI:
- Hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e shitjes me shumicë dhe me pakicë të materialeve paramjekësore.
- Hetimi paraprak të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2020 deri në 31 maj 2020.
- Raporti i hetimit paraprak duhet të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës jo më vonë se 2 (dy) muaj nga përfundimi i periudhës hetimore. 4. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi dhe njoftimin e palëve të interesuara. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.