Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për farmacitë që po abuzojnë me çmimin e shitjes së maskave të fytyrës. Lajmi bëhet i ditur nga vetë organi i akuzës, që saktëson se, procedurat kanë nisur duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe nga administrimi i të dhënave operative në lidhje me veprimet e disa farmacive në drejtim të rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “Manipulimi i tregut”.
Më tej, thuhet se, hetimet deri tani janë në fazën e mbledhjes së informacioneve të nevojshme për evidentimin dhe dokumentimin e të gjitha rasteve, në të cilat dyshohet se disa subjekte në mënyrë abuzive dhe të paligjshme kanë rritur çmimet mbi produkte te ndryshme (maska mbrojtëse, produkte me përmbajtje dezinfektuese, etj), duke përfituar nga situata e krijuar për shkak të interesimit, në rang të marrjes së masave kundër coronavirusit, në dëm të interesave të ligjshme, dhe në shkelje të normave ligjore.
Prokuroria e Tiranës bën të ditur se, se çdo paraqitje jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli, shërbimi apo paraje, me qëllim çrregullimin e funksionimit të lirë dhe drejtë të tregut, është penalisht e dënueshme dhe fton qytetarët të denoncojnë rastet abuzuese.
Ndërkohë që shumë qytetarë të kapur nga paniku kanë nxitur të blejnë maska si masë për t’u mbrojtur nga coronavirusi, Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk e rekomandojnë një gjë të tillë. Sipas ISHP-së, për njerëzit e shëndetshëm, të pa infektuar, përdorimi i maskës duhet bërë vetëm në rastet kur ai apo ajo po i shërbejnë një tjetër personi, i cili dyshohet se mund të jetë i infektuar me coronavirusi.
Gjithashtu mund të lexoni: ISHP këshillon qytetarët: Rastet kur duhet të përdoren maskat mbrojtëse