Administratori i rafinerisë së naftës në Ballsh, z. Arian Grubi foli ekskluzivisht në Euronews Albania lidhur me problematikat e pagave që kanë detyruar një pjesë të punonjësve të braktisin punën dhe të hyjnë në grevë urie, por edhe lidhur me situatën aktuale të industrisë.
Mbyllja e uzinës në shtator të vitin të kaluar ka lënë të papunë 870 punonjës, ndërsa prej nëntë ditësh rreth 10 punonjës janë në grevë.
Z. Grubi tha në Euronews Now se kompanitë “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA, që administrojnë rafinerinë i mirëkuptojnë arsyet pse punonjësit kanë nisur grevën dhe shtoi se kjo situatë duhet të shërbejë për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë problemeve rafineri-furnizim.
“Ne e kemi administruar që nga mars 2018 deri më tani. Pagat janë paguar të gjitha derisa kemi pasur aktivitet, kemi shlyer çdo detyrim ndaj punonjësit dhe subjekteve shtetërore,” deklaroi ai.
Megjithatë punonjësit kërkojnë 27 paga të prapambetura, ndërkohë që administratori privat shprehet se do të paguajë brenda javës me pagë minimale vetëm 3 muajt e fundit në shenjë sensibilizimi.
“Punëtorët po kërkojnë pagat pas ndalimit të aktivitet, arsyeja e ndalesës lidhet me zgjidhjen e situatës së naftës bruto në Shqipëri me kompaninë Bankers, kjo është zanafilla,” u shpreh z. Grubi.
Përplasjet midis kompanisë që e administron dhe asaj që e furnizon rafinerinë datojnë prej disa vitesh.
Megjithatë kompania administruese thotë se që nga fillimi i punës nga ana e tyre furnizimi nga Bankers s’ka qenë asnjëherë i mjaftueshëm.
Me anë të një njoftimi për shtyp së fundmi, Bankers Petroleum Albania theksoi se i mirëkupton shqetësimet e punonjësve të rafinerisë, por shtoi se kjo situatë nuk është shkaktuar nga veprimet apo mosveprimet e saj. Mes tjerash, Bankers bën me dije se ka ngritur padi në Gjykatën e Tiranës për shpifje bazuar në deklaratat e rreme, që sipas saj, janë bërë nga përfaqësuesit e “Tosk Energy & Bylis Energy” në të kaluarën.
“Bankers mirëkupton shqetësimet e punonjësve, megjithatë ne i hedhim poshtë pretendimet e përfaqësuesit ligjor të Tosk Energy i cili vazhdon të fajësojë Bankers për dështimet e tyre,” shkruhet në deklaratë.
Administratori Arian Grubi paraqiti në studio disa dokumente të cilat sipas tij tregojnë ndërhyrjet institucionalë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Autoriteti i Konkurrencës, të cilat drejtohen Bankers Petrolium që në vitin 2017 lidhur me kuadrin e përmbushjes së detyrave për furnizim me naftë bruto të rafinerive vendase.
Bankers Petrolium është prodhuesi më i madh i naftës bruto në Shqipëri, me një prodhim mujor prej më shumë se 75 mijë tonë, zotëron rreth 90% të tregut vendas.
“Shteti ka mekanizmat për ta zgjidhur. Autoriteti i Konkurrencës duhet të dalë sa më shpejt me vendim për Bankers, vendimi duhet të jepet tani!,” nxiti Grubi.
Kompania administruese thotë se zgjidhja duhet të vijë një herë e përgjithmonë, nafta bruto duhet të ngelet në Shqipëri dhe të mos eksportohet jashtë.
“Institucionet shtetërore të detyrojnë Bankers të japë një zgjidhje, ose të minimizojnë eksportet dhe të ngelet për rafineritë e vendit të punojnë,” përfundoi administratori i “Byllis Energji” SHA.
Lexoni gjithashtu: Familjet e zhytura në borxhe kërkojnë pagat e prapambetura nga puna në rafinerinë e naftës
Kostandin Kina: Naftëtarët duhet të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre
Punonjësit e rafinerisë së Ballshit dalin në protestë, shoqëritë akuzojnë njëra-tjetrën