Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ilva Now, në Euronews Albania, Adri Nurellari, analist dhe njëkohësisht këshilltari politik i kreut të PDK, Hashim Thaçi komentoi qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurti.
Teksa u tregua skeptik lidhur me jetëgjatësinë dhe vërtetësinë e koalicionit mes VV dhe LDK, Nurellari tha se kreut të VV, Albin Kurti i duhet të përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme.
“Ai ka ardhur në pushtet duke rritur shumë pritshmëritë dhe duke bërë premtime jorealiste që kërkojnë një buxhet 70 mld jo 2 mld sa e ka Kosova. Në aspektin e jashtëm duhet të përballet dhe faktorin ndërkombëtar për t’u ulur në dialog me serbët, çka është e vështirë për një parti si VV. E pamë se sa e vështirë ishte të krijonin koalicionin qeverisë, jo më për të çuar para ide që i kanë diametralisht të kundërta”, – u shpreh z.Nurellari.
Duke iu referuar negociatave me Beogradin, të cilat deri më tani ishin udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe tani duhet të drejtohen nga z. Kurti, analisti u shpreh se mbetet për t’u parë nëse kreu i VV do t’i mbajë premtimet për të mos u ulur në negociata me serbët nëse më parë këta të fundit nuk kërkojnë falje për krimet e luftës, teksa shprehu bindjen se edhe në këta rast, siç ndodhi me koalicionin, Kurti do të bëjë kompromise.
“Së pari, Kurti e ka obligim ndaj qytetarëve që t’i përmbahet deklaratave dhe zotimeve elektorale ndër vite. Një ndër elementet kryesore ka qenë se nuk do futet në negociata nëse plotësohen disa kushte, ka thënë se nuk do ketë negociata me Vuçiç pa kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë.
Ngelet për t’u parë; do thellohet demistifikimi, që është krijuar si një figurë mitologjike e Kurtit, kur do t’i duhet të ketë të bëjë me serbët. Kjo duket edhe me Listën Serbe; më parë ata kanë bërë naze dhe demonstrime të forcës, në rastin e Kurtit shkuan si dele pa ngritur zërin. Do bëjë kompromise në negociata me Vuçiç”, – tha analisti.
Ai e cilësoi mungesë profesionalizmi dhe veprim foshnjarak vendimin e kryetares së re të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për të hequr nga zyra foton e presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe për ta zëvendësuar me atë të Ibrahim Rugovës, ndërsa u shpreh i bindur se palët janë marrë vesh edhe për çështjen e presidentit, por thjesht nuk e bëjnë publike.
“Është e vështirë të thuhet se Isa Mustafa ka hequr dorë nga presidenti, nuk ka lëshuar pe nga kjo kërkesë”, – tha ai.