Në një krah të Kejp Taunit, kryeqytetit të Afrikës së Jugut, nga pamjet ajrore duken vila të mëdha në mes të gjelbërimit dhe pishina të kaltra, ndërkohë në krahun tjetër të rrugës, qindra baraka llamarine kallëzojnë një tjetër histori.
Pamja është vetëm një nga një sërë fotografish të shkrepura me dron nga fotografi Johnny Miller të njërës prej lagjeve më të varfra në botë, të cilat po shfaqen në një ekspozitë të Forumit Urban Botëror të Kombeve të Bashkuara këtë javë në Abu Dabi.
“Është e lehtë të injorosh pabarazitë kur nuk i sheh dot ato”, tha Miller në konferencën e Fondacionit Thomson Reuters.
“Njerëzit nuk janë të vëmendshëm ndaj gjërave që shohin përditë, ndaj na duhet një kulturë pamore e cila e thyen këtë mekanizëm dhe tërheq vëmendjen e njerëzve, për të na lejuar të veprojmë më pas”, shtoi ai.
Nga banesat e veçuara të njerëzve me ngjyrë tek hapësirat e gjelbëruara dhe infrastruktura të tjera që favorizojnë të pasurit, arti dhe teknologjia mund të ndihmojnë në krijimin e hartë dhe pabarazisë të theksuar, shprehën njëzëri artistë, hulumtues dhe zyrtarë në ceremoninë e Mjedisit të OKB-së.
Qytetet e Afrikës së Jugut mbeten kryesisht të ndara në bazë të ngjyrës së lëkurës, edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga fundi i aparteidit, në të cilin miliona persona me ngjyrë u zhvendosën me forcë nga zonat urbane ku jetonin të bardhët për t’u çuar drejt fshatrave të mbipopulluara dhe zonave të përcaktuara, teksa dy krahët ndaheshin nga një zonë neutrale.
Anë të tjera të pabarazisë, siç është situata e rënduar e dëmeve për shkak të ndryshimeve klimatike i ka rrënjët pikërisht në atë periudhë, ka shpjeguar eksperti Michael Berkowitz.
“Në Nju Orlins, janë historikisht lagjet e pasura ato që nuk përmbyten sepse janë ngritur në nivele më të larta dhe kjo daton qindra vite më parë”, ka thënë ai.
Presionet nga ndryshimet klimatike, si rritja e nivelit të detit dhe rritja e temperaturave, shtojnë rëndësinë e hapësirave të gjelbra, të cilat për më të varfrit janë më pak të përballueshme.
“Më tregoni se ku është gjelbërimi, t’ju tregoj se ku janë lagjet e pasura”, tha Berkowitz.
Arti mund të jetë një pajisje e fortë për të rritur ndërgjegjësimin dhe së fundmi të krijojë rezistencë ndaj sfidave në rritje, ka shtuar ai. “Të ndihmon të flasësh për ato gjëra për të cilat njerëzit kanë vështirësi të bisedojnë”, ka thënë ai.
Por pajisjet e artit dhe të teknologjisë, siç janë dhe pamjet satelitore ku duken qartazi pabarazitë, duhen të jenë të hapura për të gjithë dhe jo vetëm për “një grup të brendshëm”, tha Neila Akrimi, kryetare e Qendrës për Qeverisje Lokale Inovative, një kompani konsulence për zhvillimin, me seli në Tunizi.