Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka vizituar sot kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Sipas agjendës së publikuar, ai fillimisht u takua me shefin e qeverisë shqiptare, ndërsa këtë agjendë pritet ta vazhdojë me të gjithë aktorët politikë në vendin tonë.
Gjatë takimit me Kryeministrin, Edi Rama, eurokomisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë pohoi faktin që BE-ja ka si prioritet kryesor Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se përkundër ndryshimeve që janë bërë në metodologjinë e zgjerimit, BE-ja synon që Shqipëria të hapë negociatat para Samitit të Zagrebit.
“Kjo është ndalesa e dytë në udhëtimin tim të parë jashtë shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe për mua ka qenë përparësi të vija shumë herët në mandatin tim për të përforcuar mbështetjen për Shqipërinë dhe për të theksuar natyrën gjeopolitike të komisionit të ri.
Siç e dini, për ne, zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet. Dëshirojmë ta rrisim praninë këtu dhe të kemi shumë influencë. Duam të jemi një partner edhe më i rëndësishëm për rajonin. Për këtë do të punoj fort me ju kryeministër që kjo të bëhet e mundur. Për ne raporti i KE vazhdon të jetë i vlefshëm.
Vazhdojmë ta vlerësojmë Shqipërinë si e gatshme për hapjen e negociatave. Duam ta bëjmë para samitit të Zagrebit. Ka një metodologji të re për trajtimin e negociatave për anëtarësimin në BE.
Ne po punojmë me këto shtete, që të gjejmë një zgjidhje që të krijojë një shans të ri për të ecur para me procesin e integrimit. Katër parime bazë janë jo vetëm për vendet që aspirojnë por edhe ato anëtare. Procesi të jetë më i parashikueshëm dhe më dinamik.
Ne po përpilojmë një propozim që do t’i marrë parasysh këto gjëra. Shtylla e dytë është që të kemi mundësinë të fillojmë negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut para Samitit të Zagrebit.
Shtylla e tretë do të jetë vetë Samiti i Zagrebit ku shpresojmë se do të flasim për një plan ekonomik të zhvillimit të rajonit”-tha eurokomisioneri.
Ai thotë se ka biseduar me dy vendet skeptike, të cilat kanë kundërshtuar hapjen e negociatave gjatë vitit të kaluar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Eurokomisioneri bëri me dije se ka sinjale, por edhe diskutime pozitive nga Franca e Holanda për procesin e zgjerimit
“Kam qenë në Francë dhe në Holandë. Kam biseduar rreth shqetësimeve të tyre. Jam përpjekur që të shoh përparimet e bëra duke biseduar me ta. Me qasjen e re që do të ribalancojë negociatat për anëtarësim, dhe po ashtu me përparimin që po arrihet ne do të ndryshojmë klimën politike. Kam pasur diskutime pozitive me Holandën dhe Francën”-u shpreh mes tjerash eurokomisioneri.
Në orën 15:00, Komisioneri për Zgjerim Varhelyi pritet të bëjë një vizitë edhe në ambientet e Kuvendit, ndërsa takimi me opozitën është parashikuar që të zhvillohet në orën 16:00. Kjo vizitë e Komisionerit për Zgjerim në Tiranë vjen një ditë pas qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, ku pjesë e agjendës së tij ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe të Bashkimit Europian.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur vështrimin në drejtim të Bashkimit Europian, ndërsa presin nga unioni hapjen e negociatave. Dy vendet e Ballkanit Perëndimor morën përgjigje refuzuese nga Bashkimi Europian në tetor të vitit të kaluar dhe kjo solli një pakënaqësi të madhe popullore.
Në argumentet e tij, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron theksoi se BE-ja ka nevojë për reformim të brendshëm para se të zbatojë planin e zgjerimit.
Ndërkohë analistët dhe njohësit e politikave ndërkombëtare shprehen se ka një lëshim nga Franca, e cila sipas tyre, duket më “toleruese” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo të paktën nga deklaratat e fundit të presidentit francez.