Në një lidhje live me Euronews Albania nga Brukseli, ministri për Rindërtimin, Arben Ametaj u shpreh optimist se Konferenca e Donatorëve do t’i kalojë parashikimet e bëra prej tij një ditë më parë, kur deklaronte se mund të mblidheshin rreth 300-350 mln euro.
“Çdo shifër mbi atë që kam ndarë dje me mediat është shumë sukses. Besoj se edhe ndjesia që kemi, por edhe shprehja e solidaritetit nga vendet e BE dhe jo, afër dhe larg, si Turqi apo vendet e Gjirit kanë shprehur gatishmëri për të mbështetur rindërtimin konsiderueshëm. Besoj se atë shifër të menduar me kujdes nga unë do ta kalojmë”, tha z. Ahmetaj.
Teksa pranoi faktin se nëse në konferencë nuk mblidhen të paktën 350 mln euro rindërtimi do të kërkojë më shumë kohë dhe ringritja ekonomike e vendit gjithashtu do të zgjaste më shumë se 3-4 vjet, siç ka ndodhur edhe me vende të zhvilluara, z. Ahmetaj shprehu bindjen se me programin e rindërtimit, rritja ekonomike ‘20-‘21 do të jetë më e madhe se ajo që ka parashikuar BB.
I pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Fatos Çoçoli nëse sfida e vërtetë është 18 shkurti, pikërisht dita kur fondet e mbledhura duhet të menaxhohen nga qeveria, Ahmetaj tha se në aspektin e rindërtimit sfida ka filluar me kohë, ndërsa renditi tri sfidat e vërteta të rindërtimit pas tërmetit.
“Sfida kemi çdo ditë, në aspektin e rindërtimit, sfida ka filluar dhe nesër është një tjetër ditë sfide. Por në aspektin e rindërtimit sfida është transparenca, shpejtësia dhe efikasiteti i përdorimit të fondeve”, – tha z. Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj hodhi poshtë çdo aludim se mund të ketë ndonjë abuzim me fondet e mbledhura gjatë konferencës, ndërsa siguroi se gjithçka bazohet në parimin e auditimit nga auditues të brendshëm e të jashtëm, duke nisur që nga Kontrolli i Lartë i Shtetit e deri tek vetë donatorët, të cilët siç tha ministri, mund të auditojnë siç duan ata.