Aksidenti i mbrëmshëm në fshatin Çekrez të Gramshit, zbuloi një tjetër rast të trafikut të klandestinëve. Fuoristrada që doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë, duke u marrë jetën dy personave dhe plagosur tetë të tjerë, po transportonte emigrantë të paligjshëm nga Siria.
Klandestinët sirianë kanë hyrë në territorin shqiptar ilegalisht nga Greqia përmes kufirit të gjelbër në Kapshticë. Me pas ata kanë përshkuar një distancë të konsiderueshme në këmbë deri në Gramsh, ku janë marrë në automjetin që u aksidentua për t’u transportuar në Shkodër, kundrejt pagesës.
Edhe në veri, synimi i tyre do të ishte kalimi ilegalisht drejt Malit të Zi me destinacion final vendet e BE-së. Megjithëse, policia ka goditur disa raste të trafikimit të klandestinëve dhe prej disa muajsh po asistohet nga misioni FRONTEX, ky fenomen vijon të jetë shqetësues.
Në aksident humbën jetën dy shtetas sirianë, ndërsa shtatë të tjerë dhe drejtuesi i mjetit mbetën të plagosur. Për ndihmë më të specializuar mjekësore, disa prej tyre u transportuan në Spitalin e Traumës në kryeqytet ku sipas mjekeve janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se, në përfundim të veprimeve te para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.Gj., 28 vjeç, banues në Tiranë, që ishte në drejtimin e makinës së aksidentuar.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen dhe plagosjen e disa personave” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, me pasojë vdekjen dhe plagosjen e disa personave”, ku parashikohet dënimi nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm.