Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kërkon nga tregtarët e fruta-perimeve të shmangin kontaktin e tyre apo të klientëve me këto produkte në kuadër të masave për shmangien e përhapjes së mëtejshme të coronavirusit.
“Së fundmi AKU iu bën thirrje të gjithë subjekteve që tregtojnë fruta-perime të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme këto masa:
Të gjitha produktet fruta-perime duhet të jenë të mbuluara me qese plasmasi të tejdukshme në mënyrë që të shmanget kontakti me spërklat e mundshme gjatë të folurës apo tështitjes së personave.
Të gjithë shitësit, por edhe konsumatorët të shmangin prekjen e drejtpërdrejtë me dorë të produktit. Zgjedhja dhe blerja e tyre do të bëhet vetëm nëpërmjet dorashkave njëpërdorimshe ose qeseve që shërbejnë për mbajtjen e produktit.
Theksojmë se këto masa vijnë si rrjedhojë dhe nevojë e forcimit të mëtejshëm të masave të mëparshme të ndërmarra nga AKU, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e AKU.