Ashtu siç kishte paralajmëruar, kreu i ekzekutivit shqiptar, ka ngritur padi ndaj homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinaj. Padia e Ramës, është dorëzuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit. Padia e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat që ai ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin, kanë iniciuar idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë ka reaguar edhe Haradinaj, i cili përmes rrjetit social “Facebook” ka paralajmëruar se do të përgjigjet në këtë padi brenda afateve të përcaktuara ligjore.
Ai thotë se padia e Kryeministrit të Shqipërisë e bërë në adresë të tij është krejtësisht e pabazuar, ku shton se ky veprim i Edi Ramës ka për qëllim fshehjen e përgjegjësisë.
“Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë.
Unë, sipas ligjit, do të përgadis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë.
Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë.RH”,-shkruan kryeministri në detyrë i Kosovës, z.Ramush Haradinaj.