Aktualitet

Heroi nga Thumana, kthehet në pallatin e shembur për fqinjët, edhe pse familjen e kishte shpëtuar

Përditësimi i fundit: 29/11/2019 - 15:25
Text size Aa Aa

Banorët e përqafojnë sapo e shohin. Aurel Gjeka, nga Thumana, edhe pse e kishte shpëtuar familjen e tij, u rikthye në pallatin e shembur nga tërmeti për të shpëtuar fqinjët.

Jetonte në pallatin pesëkatësh, i cili u shkatërrua dhe mori jetë njerëzish, por me lëkundjet e një tërmeti të lehtë, ai nxori gruan dhe fëmijët dhe i strehoi tek të afërmit e tij.

“U riktheva prapë në shtëpi, duke më zënë gjumi ra tërmeti i dytë, tentova të dal jashtë. Aty nuk m’u hap dera, më kapën djersë të ftohta dhe thashë: këtu mbaroi çdo gjë. Isha vetëm në tërmetin e dytë. Mendova të dal nga ballkoni, pata frikë të them të drejtën të hidhesha nga ballkoni, se as tuba, as asgjë për t’u kacavjerrë. Ika, kur dola jashtë thashë shpëtova edhe në tërmetin e dytë vetëm, ishin komshinjtë jashtë në korridore. U dhashë edhe komshinjve, dilni që të shpëtoni. Në momentin që ata nuk pranuan, u thashë të tërëve natën e mirë”, - rrëfen ai.

40 minuta me vonë tërmeti i tretë ishte fatal jo vetëm për fqinjët e tij. Dhe pse nuk ndodhej aty, Aureli vrapoi drejt pallatit. Ashtu i hutuar nga sekondat e ferrit, mendoi për njerëzit aty.

“Në këto 30 sekonda dëgjojmë shembjen e pallatit. Shkuam te zona e pallateve që të shihnim çfarë po bëhet me pallatet. Vijmë nga këtej dhe na ra një ballkon përpara, na bllokoi rrugën, ishte tym vendi. Hymë nga parcelat matanë dhe në mes të parcelave dëgjojmë ndihmë, ndihmë. Kaq dëgjuam. Edhe vrap erdhëm te pallati këtu. U takova edhe me të tjerët se isha vetëm. Ishte pluhur vendi, në atë pluhur nxorëm komshien time, gjallë fatmirësisht, me djalin e vet”, - vijon rrëfimin heroi i heshtur.

Aurel Gjeka mbeti pa shtëpi dhe familja e tij shpëtoi. Me gruan dhe dy fëmijët ai jeton në çadër. Nuk ankohet për kushtet. Nuk ka dëshirë ta trajtojnë si hero, por falënderon Zotin për fatin.

Sot nuk është gati të marrë një vendim, por nuk e është largët koha kur ai të ikë nga Thumana e shkretuar prej tërmetit dhe me 23 të vdekur. 

Tregime të lidhura