Aktualitet

Lëkundjet e tërmeteve lënë pas 51 viktima dhe qindra të plagosur

Përditësimi i fundit: 30/11/2019 - 12:27
Text size Aa Aa

Katër ditë pasi vendi u trondit nga tërmeti më i fortë i dekadave të fundit, zyrtarët lajmërojnë se kanë përfunduar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në pikat, ku dyshohej se kishin mbetur persona nën rrënoja në zonat më të prekura në Durrës dhe Thumanë.

Tërmeti shkatërrimtar la pas 51 viktima dhe 913 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa qindra familje braktisën shtëpitë e tyre nga frika e lëkundjeve të forta dhe gjetën strehë në qytete të tjera, tek të afërm ose në qendra emergjence.

Banorët e Thumanës dhe Durrësit, ku disa pallate dhe shtëpi u shembën duke zënë poshtë familje, patën respektivisht  26 dhe 24 viktima, mes tyre edhe fëmijë.

Tragjedia ishte më e rëndë për familjen Lala në Durrës, me 8 viktima, mes të cilëve një nënë me katër fëmijë. Gjithashtu katastrofë ishte edhe bilanci për familjen Cara në Thumanë, e cila humbi 6 pjesëtarë të saj.

Gjendja e jashtëzakonshme u shpall në Durrës, Tiranë dhe Laç, ndërsa mësimi u pezullua pa afat deri në qartësimin e situatës dhe pasojave.

Të prekurit nga tërmeti, pas strehimit të përkohshëm në çadra të emergjencës, u akomoduan në hotele përgjatë vijës bregdetare të Durrësit, sipas një plani të qeverisë. Qindra prej tyre udhëtuan gjithashtu drejt Kosovës, ku gjetën strehë një kamp në Prizren.  

Shumë shtete u solidarizuan me Shqipërinë pas pasojave shkatërrimtare të tërmetit, cilat dërguan skuadrat e tyre të specializuara të kërkimit ose dhanë ndihmë financiare. 

Në operacion morën pjesë 250 efektivë të kërkim-shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga disa vende të tjera.

Fushatat për ofrimin e ndihmave mblodhën gjithashtu shuma të larta financiare që po përllogariten dhe të cilat do të përdoren për rindërtim.

Të shtunën në mëngjes autoritetet lajmëruan viktimën e parë nga Tirana, një e re, e cila nuk mundi t'i mbijetonte plagëve të marra nga tërmeti. 

Kryeqyteti u prek gjithashtu nga lëkundjet e vazhdueshme, të cilat dëmtuan rreth 200 pallate dhe mbi 2000 shtëpi private.

20 kilometra nga Tirana, bashkia e Vorës ishte gjithashtu ndër zonat e prekura, ku disa pallate pësuan dëme dhe u klasifikuan si të pabanueshme, ndërsa qytetarët braktisën shtëpitë dhe u strehuan përkohësisht në çadra të emergjencës.

Kryeministri Rama deklaroi në mbledhjen e qeverisë se rreth 1200 banesa private kanë dëmtime serioze dhe afro 270 pallate kërkojnë një vlerësim. Numri i lëkundjeve pas tërmetit shkatërrues së 26 nëntorit po shkon 1300, nga të cilat 260 me intensitet mbi 2,5 ballë. Ende nuk është bërë një llogaritje e përafërt e dëmeve materiale të kësaj katastrofe natyrore. 

Teksa orët e gjata të ankthit të kërkimit nën rrënoja morën fund, tashmë Shqipërisë i shtrihet para sfida e strehimit afatgjatë të familjeve, të cilat humbën vendbanimet. Sipas vlerësimeve paraprake janë rreth 4000 banorë që nuk mund të kthehen në banesat e tyre.

Tregime të lidhura