Aktualitet

Prokuroria në Durrës, Tiranë dhe Krujë nis hetimet për banesat e dëmtuara nga tërmeti

Përditësimi i fundit: 02/12/2019 - 16:25
Text size Aa Aa

Prokuroria në Durrës, Tiranë dhe Krujë ka lajmëruar zyrtarisht nisjen e hetimeve për të gjitha rastet e dëmtimeve të banesave dhe pallateve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Euronews Albania mëson se prokuroria e qytetit bregdetar do të hetojë mbi 200 raste të dyshuara për abuzim, mes tyre edhe banesat e viktimave që la pas tërmeti.

Objekt hetimi janë 6 godinat në të cilat pati dhe viktima në Durrës, por edhe 200 banesat të cila janë shpallur të pabanueshme në të gjithë qarkun. 

Prokuroria e Tiranës njoftoi gjithashtu se ka ngritur një grup hetimor dhe ka filluar kryesisht hetimet pas situatës së fatkeqësisë natyrore.

Prokuroria pritet të hetojë rast pas rasti lejet e ndërtimit, zbatimin në terren të punimeve dhe kolaudimet e kryera nga inxhinieret e bashkisë dhe ata privatë të licensuar.

Lidhur me fatkeqësinë natyrore që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit është vënë menjëherë në lëvizje edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, në mënyrë që të verifikojë nëse në këtë ngjarje, ka apo jo elementë të veprave penale.

“Drejtuesi i Prokurorisë, prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë Krujë kanë shkuar në njësinë administrative Thumanë, ku rezulton se ishin shembur tre pallate, e si rezultat i kësaj shembje kanë ndërruar jetë 24 persona. Po ashtu, është vijuar puna në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë të cilët janë urdhëruar që të kryejnë të gjitha veprimet e duhura në vendngjarje, duke i orientuar t’i trajtojnë si vendngjarje ku ka ndodhur një krim dhe të kryhen në çdo rast veprimet hetimore përkatëse.

Rezulton gjithashtu se në rrethin ku ushtron kompetencat territoriale Prokuroria Krujë, janë dëmtuar një numër mjaft i madh banesash, nga të cilat një pjesë janë shpallur të pabanueshme dhe pjesa tjetër me dëme të konsiderueshme. Përveç pallateve të rrëzuara IKMT-ja ka prishur edhe disa pallate të tjerë të deklaruara të pabanueshme. Edhe në këto raste oficerët e policisë gjyqësore kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë në cilësinë e provës materiale mbetje të këtyre pallateve”, bëjnë me dije burime të prokurorisë Krujë.

Veprat penale që po hetohen janë ato të shpërdorimit të detyrës, ku do të hetohet për organet që kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë; Ndërtim i paligjshëm si dhe Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm.

Hetimi pritet të zbardhë edhe nëse objektet e dëmtuara kanë pasur apo jo miratimin e Institutit të Sizmologjisë.

Qindra pallate dhe shtëpi janë dëmtuar rëndë në tri bashkitë në fjalë, teksa në shumë prej tyre dyshohet se është abuzuar në procesin e ndërtimit.

Tërmeti i të martës la pas 51 viktima dhe qindra të plagosur. Lëkundjet e forta dhe të vazhdueshme dëmtuan një numër të lartë pallatesh dhe ndërtesash private në Durrës, Thumanë, Tiranë, Laç, Lezhë, Vorë dhe detyruan qindra familje të braktisin shtëpitë.

Prokuroria në Tiranë tha se do të marrë informacion për ndërtesat e dëmtuara nga Bashkia e Tiranës, ndërsa kjo e fundit bëri publike një listë ku thuhej se kryeqyteti ka 318 pallate të dëmtuara (20 të pabanueshme) dhe 2046 shtëpi private (291 të pabanueshme).

Tregime të lidhura