Aktualitet

Konflikti me Iranin, flasin ish-diplomatët, Presidenti Trump u tregua i matur, Shqipëria gjithmonë me SHBA

Përditësimi i fundit: 08/01/2020 - 19:47
Text size Aa Aa

Sulmi i Iranit mbi bazat ushtarake në Irak dhe mesazhi që lideri shpirtëror i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei ndaj Shqipërisë janë bërë objekt diskutimi në Ilva Now në Euronews Albania.

Sulejman Tomçini, ish-ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho kanë qenë në një mendje për faktin se pas deklaratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, situata në të dy kampet duket më e qetë. Sipas z. Nesho, presidenti i SHBA u tregua i matur dhe i qartë në deklaratën e tij, ku i bëri të ditur Iranit se SHBA nuk kërkon ndryshim regjimi, por nuk do të lejojë një tjetër sulm ndaj trupave amerikane.

“Mesazhi i Trump vinte në dukje disa elementë: nuk kërkojmë ndryshim regjimi, përcaktojnë vijën e kuqe kundër armëve bërthamore, nuk tolerojmë më goditjen e trupave amerikane dhe shënoi sinjalin për riaktivizim të NATO-s në Lindjen e Mesme”, - tha ish-ambasadori Nesho.

Ish-ambasadori Nesho tha se lidhur me vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani çështja që shtrohet është tek legjitimiteti i sulmit, d.m.th a kemi të bëjë me një krim politike të paramenduar, që prish ligjet ndërkombëtare apo për arsye vetëmbrojtjeje, që është plotësisht i legjitimuar

“Irani kishte pikësynim vetë një gjë; të heqë SHBA nga Iraku dhe në përgjithësi nga Lindja e Mesme.

Sa i përket fatit të Shqipërisë në këtë konflikt pas deklaratës së liderit të Iranit Khamenei, ish-ambasadori Tomçini u shpreh se pavarësisht këtij qëndrimi që vjen pas dëbimit nga vendi ynë i ambasadorit të Iranit dhe faktit që në vendin tonë strehohen 3 mijë muxhahedinë, interesat e Shqipërisë janë dhe do të mbeten me Amerikën, jo Iranin.

“E kemi dëbuar ambasadorin, kemi edhe muxhahedinë, ky është qëndrimi i tij, po interesat tona janë me Amerikën jo me Iranin”, - tha z.Tomçini.

Tregime të lidhura