Aktualitet

Dritan Dajti tek okulisti në ish-Bllok, shkarkohet drejtori i policisë së burgjeve, furtunë në “Peqin”

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 16:32
Text size Aa Aa

Vizita që Dritan Dajti bëri tek okulisti i ka kushtuar vendin e punës drejtorit të policisë së burgjeve dhe disa punonjësve në burgun e Peqinit, përfshirë edhe drejtuesin e këtij institucioni, ku Dajti vuan dënimin me 25 vjet burg për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009, në zonën e Plazhit në Durrës.

Ministrisë e Drejtësisë bëhet me dije se nga hetimi i nisur lidhur me këtë ngjarje janë konstatuar një sërë shkeljesh.

Pas kryerjes së hetimit dhe analizave të kryera nga grupet e hetimit, evidentimit të përgjegjësive të të gjithë strukturave dhe punonjësve të përfshirë, janë marrë këto masa:

Lirimin nga detyra të Drejtorit të IEVP-së Peqin, z. Emin Shpata për shkelje të rëndë.

Lirimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Bardhyl Kaçorri për shkelje të rëndë.

Largim nga puna të mjekut të IEVP Peqin, z. Andi Andoni.

Lirim nga detyra të shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, z. Ferit Mici.

Vërejtje me paralajmërim për mjeken e DPB znj. Ermira Qirinxhi.

Vërejtje me paralajmërim për inspektorin e IEVP Peqin, z. Mefat Shehu.

“Ministria e Drejtësisë pasi u vu në dijeni që i dënuari Dritan Dajti ishte shoqëruar nga efektivët e Policisë së Burgjeve për të kryer disa vizita mjekësore në poliklinikën e specialiteteve Nr.2 në Tiranë si dhe në një klinikë private në zonën e ish-bllokut, nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Sipas të gjitha të dhënave, është konkluduar qartazi se në shkelje flagrante me ligjin, stafi mjekësor e drejtues në IEVP-në Peqin nuk kanë  kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës – në profilin mjekësor dhe operacional të riskut - dhe nuk ka marrë në konsideratë asnjë mundësi për kryerjen e vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike të afërta me institucionin e vuajtjes së dënimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Pas një gjyqi maratonë që zgjati shumë vite, Dritan Dajti u dënua me 25 vjet burg për vrasjen e 4 policëve: Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj.

Tregime të lidhura