Aktualitet

Lirohet Endrit Dokle, i dënuar me burg përjetë si anëtar i bandës së Durrësit

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 17:16
Text size Aa Aa

Endrit Dokle, anëtar i bandës së Durrësit, i dënuar me burgim të përjetshëm, është liruar nga burgu me kusht. Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila vendosi: “pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes, datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë  prej 5 (pesë) vjetësh.

Dokle kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë në vitin 2017, kërkesë që ishte hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana e saj, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë bën me dije se ka qenë pjesëmarrëse në këtë proces dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma.

Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime  në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet procedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do t’i parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor.

Si anëtar i bandës famëkeqe të Durrësit, Endrit Dokle akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë plagosje, vrasje e krime të tjera, vepra për të cilat ishte dënuar me burg përjetë.

Tregime të lidhura