Aktualitet

Zbardhen konkluzionet e Reformës Zgjedhore, opozita e bashkuar “pajtohet” me mazhorancën

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 13:39
Text size Aa Aa

Pak çaste pasi opozita e bashkuar mandatoi Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të gjetur gjuhën e përbashkët me palën tjetër për reformën zgjedhore, tryeza mes subjekteve politike ka nisur pa humbur kohë.

Kjo tryezë po mbahet aktualisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve “në kuadër të dialogut për garantimin e një konsensusi sa më të gjerë në procesin e Reformës Zgjedhore”.

Të pranishëm në takim janë dy bashkëkryetarët e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri e Rudina Hajdari si dhe përfaqësuesit e opozitës së bashkuar.

Palët politike kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella mes tyre, ku PD-ja theksonte më parë se nuk mund të ulej në tryezë me Damian Gjiknurin, pasi sipas saj, ai duhet të ishte nën hetim për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane ‘Bild’ për zgjedhjet lokale në Dibër.

Gjithsesi sot këto pretendime duket që kanë rënë dhe opozita e bashkuar ka pranuar të ulet në tryezën për Reformën Zgjedhore. Përfaqësuesit e opozitës së bashkuar shprehen  se  miratimi i Reformës Zgjedhore duhet të bëhet në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe në thelb të saj të ketë konsensusin e gjerë mes palëve politike.

“EuronewsAlbania” ka zbuluar detaje mbi konkluzionet e tryezës për Reformën Zgjedhore. Sipas dokumentit të mëposhtëm, palët politike duhet që Reformën Zgjedhore ta përfundojnë jo më vonë se 15 marsi i vitit 2020. 

Projekti përfundimtar i dakordësuar në mënyrë të plotë nga të gjitha palët politike  pritet të kalojë  më pas për miratim përfundimtar në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo lëvizje e sotme duket se do të lë mënjanë ndasitë mes palëve dhe në vend të saj do të “mbjellë” komunikimin aktiv dhe atë institucional.

Kërkesat që parashtroi fillimisht opozita e bashkuar:

  1. Miratim i Reformës Zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.
  1. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.
  1. Miratimi pa ndryshime nga Komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.

 82430262_941380922925059_7902518517860139008_n_1.jpg?t=1579008535

Tregime të lidhura