Aktualitet

Test droge për shoferët, policia rrugore së shpejti do të nisë kontrollet

Përditësimi i fundit: 15/01/2020 - 09:23
Text size Aa Aa

Krahas kontrolleve për përdorimin e alkoolit, policia rrugore synon të nisë së shpejti testin e drogës për drejtuesit e automjeteve. Për të realizuar këtë po shikohet mundësia e blerjes së disa pajisjeve që përdoren në shumë vende të bashkimit europian.

Përmes pështymës, pajisja është e aftë të nxjerrë pas 5 minutave rezultatin nëse një drejtues mjeti është nën efektin e narkotikëve.

Ajo përcakton nëse ka konsumuar kanabis, kokainë apo lëndë të tjera. Të tilla teste u aplikuan një muaj më parë gjatë disa patrullimeve me efektivë të policisë rrugore çeke që vizituan Shqipërinë.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se po shikohen edhe modele të tjera më të sofistikuara të testit të drogës madje disa janë marrë në dorëzim.

Ndalimi i përdorimit të lëndëve narkotike ose psikotrope parashikohet edhe në kodin rrugor, por aktualisht kontrollet kryhen vetëm në rastet kur ka dyshime pas aksidenteve, nëpërmjet analizave laboratorike.

Aplikimi i testit të drogës për shoferët shihet si një mundësi për të parandaluar ngjarjet rrugore, ndërsa të hënën ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e shpalli 2020-n vitin e sigurisë rrugore.

Tregime të lidhura