Aktualitet

Hetim për tenderin 15 mln euro, SPAK-u sekuestron dosjen e landfillit të Porto Romanos 

Përditësimi i fundit: 07/02/2020 - 20:25
Text size Aa Aa

Ka ngjallur dyshime tenderi 15 milionë euro që do të shndërronte landfillin e Porto Romanos në Durrës në një park. Është Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK që ka nisur hetimet.

Shkak është bërë mungesa e garës në këtë tender, të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Në 27 dhjetor të vitit të kaluar ky institucion ka lidhur kontratën me kompanitë “De Mare” dhe “Victoria Invest International”.

Prokurorët kanë sekuestruar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve të gjithë praktikën e ndjekur me këtë tender, për të cilin dyshohet se përbën një rast korrupsioni.

Institucioni nuk ka bërë një shpallje, siç e kërkon ligji, në mënyrë që operatorë të tjerë të konkurronin, por ka zgjedhur procedurën me negocim, ku ka pasur vetëm një pjesëmarrës pa garë.

Agjencia e ka kryer këtë procedurë, ndërkohë që Durrësi përjetonte gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit të 26 nëntorit. Ky landfill i plehrave u përdor edhe për grumbullimib e të gjitha mbeturinave inerte të krijuara pas shembjes së banesave në këto zona.

Megjithatë procedura e ndjekur në këtë rast do të hetohet për të saktësuar nëse Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve kishte mundësi për bërë garë apo fituesi është paracaktuar.

Tregime të lidhura