Aktualitet

OFL sekuestron mjetet e blinduara të tre personave me precedentë kriminalë

Përditësimi i fundit: 08/02/2020 - 10:42
Text size Aa Aa

Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nxori urdhrat e sekuestrimit në kushtet e emergjencës për disa automjete të blinduara, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit.

Mësohet se automjetet e sekuestruara janë në pronësi të shtetasve Saimir Taullau, banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Dashamir Gjoka, banues në Durrës, i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore dhe Durim Bami banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.

Operacioni Forca e Ligjit nisi 5 ditë më parë dhe ka për qëllim sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi i organizuar.

Ai do të zhvillohet nga Forca e Posaçme OFL në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, duke bërë të mundur evidentimin dhe goditjen me anë të sekuestrimit të pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave apo grupeve kriminale që i kanë përfituar ato nëpërmjet aktivitetit kriminal në fushën e krimit të organizuar.

Në ditën e parë të tij, Operacioni Forca e Ligjit vendosi sekuestron e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.

Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje kjo që lidhet me rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga.

Tregime të lidhura