Aktualitet

Shërbimi Informativ Shtetëror reagon për Euronews Albania mbi sulmin kibernetik

Përditësimi i fundit: 09/02/2020 - 15:02
Text size Aa Aa

Agjencia e lajmeve "Reuters" raportoi pak ditë më parë se hakera që besohet se punojnë në interes të Turqisë kanë sulmuar të paktën 30 organizata, mes tyre edhe Shërbimin Informativ Shtetëror Shqiptar, por edhe shërbime të ndryshme të qeverisë greke, qipriote dhe irakiane. Për këtë Euronews Albania u interesua pranë shërbimit inteligjent dhe mori një përgjigje zyrtare të firmosur nga drejtori Helidon Bendo, i cili pranon sulmin kibernetik por jo cënimin e informacioneve sekrete.

“Duke vlerësuar kërkesën tuaj, ju njoftojmë se në infrastrukturën, (rrjetin) e paklasifikuar të SHISH-it, nuk trajtohet në asnjë rast informacion i klasifikuar “ sekret shtetëror ” i çfarëdolloj niveli”, thuhet në reagimin e SHISH.

Po në përgjigjen për Euronews Albania, Helidon Bendo thotë se Shërbimi Informativ Shtetëror është plotësisht i angazhuar dhe i përgatitur në mbrojtje të shërbimeve publike që ofron ( website, apo e-mail ) nga sulmet kibernetike.

KTHIM_PERGJIGJE_NR.jpgytyyyy_copy.jpg?t=1581253329

Për këtë çështje ka folur pak ditë më parë edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Fatos Klosi. Nga studioja e Euronews Albania, z. Klosi tha se ky informacion i raportuar nga agjencia e lajmeve “Reuters” duhet të merret në konsideratë nga strukturat e shtetit shqiptar.

“Çdo informacion duhet marrë në konsideratë. Shërbimet i marrin në konsideratë të tërë dhe natyrisht pastaj  pasi i trajtojnë, ka qenë apo jo vërtetë, në çmasë ka qenë i vërtetë. Si informacion duhet marrë parasysh. Nuk ka miq në këto punë. Gjithkush punon për vete. Pastaj miqësia bën që një pjesë e atyre që ti di, ia transmeton tjetrit, por asnjëherë të tëra.

Kjo është logjike dhe kjo është traditë. Çdo vend sado miq që të jenë, ka çfarë mëson nga një vend tjetër për interesat e tij natyrisht. Në fillim kur e dëgjova si lajm më thënë të drejtën edhe u çudita. Nga ka dalë thashë. Meqenëse asnjëri prej dy shërbimeve, qoftë shqiptari qoftë turku, nuk kanë interes ta tregojnë. Turku s'e e ka bërë, shqiptari do të ishte më mirë që të hiqesh  më mirë që nuk e di dhe të vijonte punën për të parë se cila është e vërteta, mirëpo dalja nga të tjera shërbime “Reuters” është agjenci e madhe dhe duhet t’i besojmë, por edhe asaj deri diku.

Në përgjithësi nuk komentohen këto gjërat që lidhet me shërbimet. Nuk ka asnjë kuptim të komentohet, pasi e gjithë puna e shërbimeve është sekrete. Përpiqen t’i mbajnë sekretet. Çdo koment  do të ishte miratim ose jo miratim në lidhje me problemin"-theksoi z. Klosi.

Shërbimi Informativ i Shtetit bie viktimë e një sulmi kibernetik

Tregime të lidhura