Aktualitet

Është i shtrenjtë një kilometër rrugë në Shqipëri 17 milionë euro? Ministrja Balluku i përgjigjet Ilva Tares

Përditësimi i fundit: 11/02/2020 - 22:18
Text size Aa Aa

Çfarë po ndodh me Thumanën? Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zbuloi më shumë detaje për autostradën Thumanë-Fushë-Krujë-Kashar, pjesë e korridorit blu, që lidh veriun e Shqipërisë dhe Kosovën me aeroportin “Nënë Tereza” dhe portin e Durrësit.

“Shumë shpejt ne do të lançojmë rrugën më të gjatë në kilometra dhe më të mirën në cilësi në Shqipëri,” u përgjigj znj. Balluku duke thënë se po fliste për korridorin blu, i cili do të lançohet për dy javë.

Ministrja u pyet në studion e Ilva Now nëse do ta konsideronte të shtrenjtë një kilometër rrugë në Shqipëri që kap shifrën 17 milionë euro, dhe nëse kjo është shifra më e shtrenjtë në rajon, duke marrë parasysh edhe Austrinë që ka çmime prej 15 milionë eurosh.

“Opozita thotë që kostot janë të fryra, ka nxjerrë një shifër prej 2.2 miliardë euro që janë më shumë se çmimi real,” ndërhyri gazetarja Ilva Tare.

“Nuk ka një kilometër që ka një çmim. Ai varion nga gjeologjia e tokës, tunelet, nënkalimet,” tha znj. Balluku, duke sqaruar se puna e ministrit nuk lidhet me paratë, pasi me këtë merren financierët, por me transparencën dhe aspektet teknike.

“Tenderi i më të parë që do të kemi, do të jetë ankandi i Karavastasë,” tha znj. Balluku, e cila shtoi se janë 24 kompani konkurruese.

Cili është statusi aktual i kësaj rruge?

“Thumanë-Kashari është anuluar, ato para iu vunë në dispozicion për Paktin e Universitetit. Kontraktori na çoi në gjyq por ne e kemi mbyllur dhe fituar gjyqin,” u përgjigj ministrja Balluku.

“Do të hapet një tender i ri që fillon nga Miloti do të përfundon në bypassin e Fierit. Do të jetë një koncension me pagesë, pra me tra duke pasur kërkesën e panegociueshme për të gjitha palët për rrugë ndihmëse,” shtoi më tej ministrja. Koncensioni do të zgjasë 35 vjet.

Znj. Balluku shtoi se për ndërtimin e rrugës do të ketë një garë, ku do të marrin pjesë kompani të mëdha ndërkombëtare.

“Segmenti pritet të jetë nga 88 deri në 102 kilometra,” tha Balluku, "dhe kosto është më shumë se 500 milionë euro".