Aktualitet

“Më pak shpifje, por edhe më pak të vërteta”, ekspertet kundërshtojnë ligjin e medias në Ilva Now

Përditësimi i fundit: 13/02/2020 - 21:54
Text size Aa Aa

Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias zhvilluan këtë të hënë në Tiranë një vizitë zyrtare ku morën opinionet e aktorëve kryesorë në vend në lidhje me ligjin për mediat te hartuar nga qeveria dhe të kthyer nga presidenti i Republikës, por vendimi final i Venecias do të jepet në seancën plenare te datave 20 dhe 21 mars

Për të folur lidhur me ligjin e mediave, të quajtur shpesh si paketa Antishpifje, në studion e Ilva Now, në Euronews Albania ishte Belina Budini, drejtore e Departamentit të Komunikimit të UET dhe në lidhje 'skype' nga Kosova Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias.

Për znj. Kusar,i tërheqja e përkohshme e kryeministrit Edi Rama nga ligji i medias tregon më së miri presionin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar që i bëhet kreut të qeverisë shqiptare, i njohur botërisht sipas saj, për gjuhën e ashpër ndaj mediave.

“Tashmë ndërkombëtarisht z. Rama është bërë i famshëm si një kryeministër që ka qasje të tmerrshme me gazetarët dhe që gjen forma të çuditshme për t’i censuruar. Nuk është e zakonshme që në Shqipëri organizatat joqeveritare të bëhen bashkë, por në rastin e paketës Antishprehje kanë qenë bashkë dhe rezultatet treguan se ja dolën ta tërheqin përkohësisht”, - tha ajo.

Edhe drejtorja e Departamentit të Komunikimit të UET, Belina Budini, shprehu bindjen se tërheqja e përkohshme e Ramës nga ligji i medias erdhi pa asnjë dyshim nga presioni ndërkombëtar dhe nga fakti se qarkullon sërish një pritshmëri për hapjen e negociatave me BE.

“Kur kemi një pritshmëri rishtas për hapje të negociatave, vjen si nevojë për të mos pasur kundër një zë ndërkombëtar kundër lirisë së medias”, - tha znj. Budini.

Çështja kryesore me këtë ligj, sipas znj. Kusari, është se mediat online do të vihen në darën e shtetit përmes AMA-s, që do të zëvendësojë gjykatën, dhe nuk do të vetërregullohen siç ndodh në të gjitha vendet evropiane.

Por gjëja më e natyrshme dhe më demokratike për Belina Budinin, është që mediat të bëjnë të mundur vetërregullimin, në vend që kjo gjë t’u imponohet nga lart.

Qëllimi sipas saj, është që përmes këtij ligji të kontrollohet opinioni publik.

“Në mediat tradicionale është më e lehtë të kontrollohet opinioni publik, me portalet është më e vështirë. Është e rëndësishme që tek mediat e reja të shohim një potencial lirie për t’u shprehur dhe censura ndaj tyre është në dëm të qytetarit. Pas autocensurës që do të imponojë ky ligj, do të kemi më pak të vërteta. Edhe pse mund të kemi më pak shpifje”, - tha znj. Budini.

E pyetur lidhur me deklaratën e kryeministrit shqiptar se në disa studio televizive ka analistë që financohen nga krimi i organizuar, znj. Kusari shprehu shqetësimin se gjuha denigruese që kryeministri Edi Rama përdor ndaj gazetarëve dhe analistëve është shumë e rrezikshme, pasi nxit urrejtje, dhunë dhe mund të çojë deri në vrasje, siç ka ndodhur me gazetarë në Maltë e Sllovaki, të cilët para fundit fatal u përgojuan po njësoj nga kryeministrat e tyre.

“Gjuha denigruese e përdorur nga Rama ndaj gazetarëve është bërë një prej prioriteteve të shumë organizatave ndërkombëtare që të monitorojnë. Jemi të frikësuar, pasi në Maltë dhe Sllovaki janë vrarë 2 gazetarë dhe para se të ndodhte kjo, kryeministrat kanë folur njësoj si Rama ndaj tyre. Kur Rama e bën një koment të thjeshte për një gazetar nisin thirrjet për dhunë e vrasje dhe gjuha e përdorur është shumë e rrezikshme”, tha ajo.

Znj. Budini nga ana e saj theksoi se gjuha e përdorur nga kryeministri ndaj medias është shumë ndikuese, duke bërë që fjalët e tij të bëhen mënyra se si qytetarët e perceptojnë median.

“Është gjuhë shumë ndikuese, i imponohet mjedisit. Politikani ka fuqinë ndikuese pasi ka shumë ndjekës.

Mënyra si flet për mediat, bëhet edhe mënyra si e perceptojnë qytetarët mediat. Etiketimet që qarkullohen janë stigmatizimet e mbjella nga politika”, - tha znj.Budini.

Tregime të lidhura