Aktualitet

Asetet e krimit të organizuar të shkojnë për të dëmtuarit e tërmetit

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 14:57
Text size Aa Aa

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati kërkon që pronat e sekuestruara të krimit të organizuar të shkojnë në shërbim të familjeve të prekura nga tërmeti. Sipas tij, aktiviteti i tyre kriminal shkon në 1.5 miliardë dollar në vit.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, z. Bushati kërkoi miratimin e projektligjit që synon ndryshimin e administrimit të pronave të sekuestruara.

“Ky nuk është ligj për akademinë e shkencave. Është ligj kundër krimit të organizuar që ka marrë përmasa të mëdha në Shqipëri. Pra kjo që po flasim nuk është diçka që ndodh tek cepi i lagjes, është një makineri e strukturuar shumë mirë me 1.5 miliardë dollar në vit aktivitet minimalisht sepse krimi i organizuar sot në Shqipëri administron dhe prona dhe shumë aktivitete të tjera që janë në të gjithë Evropën”, deklaroi deputeti socialist.

Vlera e aktivitetit kriminal duket se, kalon edhe faturën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti dhe për këtë z, Bushati kërkoi që këto asete të mos shpërdorohen.

Këto vlera po t’i mendosh dhe po të dalësh në konkluzione janë më shumë se dëmet e vetë tërmetit dhe ça të keqe do të kishte sikur këto prona të viheshin në funksion të personave që janë pa shpi”, shtoi ai.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi ndryshimet ligjore duke autorizuar Agjencinë e Administrimit të pronave të sekuestruara që të marrë rol aktiv edhe në shitjen e tyre kur ka një vendim gjykate.

Tregime të lidhura