Aktualitet

Basha takon delegacionin e Komisionit të Venecias: Jemi në krizë Kushtetuese

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 13:00
Text size Aa Aa

Delegacioni i Komisionit të Venecias ka nisur takimet e ditës së dytë të qëndrimit në Tiranë, me takimin me liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Përplasjet mes Parlamentit dhe Presidentit për Gjykatën Kushtetuese ishte një nga temat kryesore të takimeve. Kreu i PD duke folur për mediat pas takimit tha se, është diskutuar dhe rruga e daljes nga kriza politike.

“Takimi me ekspertët e Komisioni të Venecias ishte shumë i frytshëm. Shqipëria është në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike. Ilustrimi më i mirë i kësaj krize, në javët e fundit, janë lëvizjet e çoroditura të një pushteti, i cili nuk pret as për opinionin e Venecias, por ka çuar për miratim, në një Kuvend ilegjitim, masa të tjera që forcojnë kapjen e shtetit, kapjen e drejtësisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese. E gjitha kjo ka çuar vendin në kolaps total”, u shpreh z. Basha.

Lideri i opozitës më tej foli dhe për krizën politike në vend, ku si të vetmen rrugë për zgjidhje tha se është krijimi i një qeverie kujdestare për organizimin e zgjedhjeve të lira. Në rast se një kërkesë e tillë do të refuzohet nga mazhoranca, Basha paralajmëroi nisjen e protestave.

Gjatë ditës së djeshme, delegacioni i Komisionit të Venecias zhvilloi takime me Presidentin, Ilir Meta, kreun e Kuvendit, Gramoz Rucci si dhe anëtarë të komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit.

Gjithashtu, u takuan dhe me Arta Vorpsin, anëtaren e Gjykatës Kushtetueses e zgjedhur nga KED me mekanizmin zhbllokues por që u betua përpara noterit, pasi Presidenti nuk e njeh emërimin e saj.

Në përfundim të  misionit në  Shqipëri, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të publikojnë një raport paraprak, ndërkohë që më 20 mars do të mbahet seanca plenare me dyer të mbyllura ku do të bëhet publik edhe opinionin final i këtij institucioni.

Tregime të lidhura