Aktualitet

Holanda zbulon shumën që do të dhurojë në Konferencën e Donatorëve për rindërtimin

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 17:42
Text size Aa Aa

Holanda do të dhurojë 3 milionë euro për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit të një viti më parë. Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok i cili përmes një postimi në Twitter shpreh mbështetjen dhe ndihmën konkrete që Holanda dhuron për rindërtimin pas tërmetit 6, 4 ballë në Shqipëri.

“Holanda qëndron në krah të Shqipërisë pas tërmetit dhe do të dhurojë 3 milionë euro për rindërtimin”, - shkroi z. Blok në Twitter.

 

 

Bashkimi Evropian do të mbajë më 17 shkurt në Bruksel një konferencë me donatorë ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Vendet anëtare të BE, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vende të tjera si dhe organizata ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare, përfshirë OKB dhe Bankën Botërore do të jenë pjesëmarrëse.

Komisioni Evropian ka ofruar një grand prej 15 milionë euro për rindërtimin. Për këtë, Presidentja e KE dhe Kryeministri i Shqipërisë do të nënshkruajnë marrëveshje gjatë Konferencës së Donatorëve.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama takoi sot në Mynih të Gjermanisë homologun kanadez, Justin Trudeau i cili konfirmoi pjesëmarrjen e Kanadasë në Konferencën për Rindërtimin që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel.

Në raportin e udhëhequr nga Banka Botërore për dëmet e shkaktuara përllogaritet që fatura të jetë 1 miliard euro për të gjitha dëmet e shkaktuara në 11 bashkitë e prekura.

Bashkia më e prekur cilësohet Durrësi, ku sipas raportit për dëmet, do t’i nevojiten rreth 310 milionë euro për rindërtimin. Ndërsa Tirana, që vjen e dyta konsiderohet se ka nevojë për ndërtimin për një shumë prej 303 milionë euro. Më pas bashkia e tretë më e dëmtuar vjen Kruja, dhe më pas Kavaja, Shijaku dhe Vora.

51 persona humbën jetën kurse rreth 1 mijë të tjerë u plagosën pas tërmetit 6,4 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor të vitit që lamë pas.

Tregime të lidhura