Aktualitet

Përgjimet nga Policia, eksperti Emri Vata: Marrja e kësaj kompetence lë vend për abuzime

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 07:35
Text size Aa Aa

Drafti i qeverisë i depozituar në parlament që autorizon Policinë e Shtetit të kryeje përgjime pa urdhër prokurorie pritet të shkaktojë debate të shumta.

Ish-drejtuesi i lartë i policisë Emri Vata thotë për Euronews Albania se kjo është një nismë antikushtetuese dhe ngre dyshime të shumta për qëllimin e saj.

Në nenin 131 të ligjit për policinë parashikohet ndryshimi që do ti japë të drejtë uniformave blu që të bëjnë përgjime pa patur nevojë për një urdhër prokurori. Drafti në fjalë i jep të drejtë të policisë që të kryejnë tri lloje përgjimesh, ambiental në ambiente publike apo në mjetet e transportit publik, përgjim me foto dhe video si edhe mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

Vetëm përgjimi i telefonit dhe komunikimeve të tjera elektronike do të bëhet me autorizimin nga Prokuroria pa prekur ligjin që është në fuqi. Sipas projektligjit autorizimi për këto lloje përgjimesh do të zgjasë për tri muaj me të drejtë shtyrje 1 herë më 3 muaj të tjerë.

“Mendoj që është tërësisht antikushtetues, pasi autorizimin për përgjime duhet ta japë një organ kushtetues që është Prokuroria. Marrja e kësaj kompetence lë vend për abuzime. Për sa kohë veprime të tilla bëhen nga institucione që kanë varësi nga ekzekutivi, lë vend për të dyshuar për abuzime për kundërshtarin politik, për njerëz të caktuar apo selektime ”, theksoi z. Vata.

Ish-drejtuesi i Policisë Emri Vata shprehet skeptik edhe sa i takon operacionit forca e ligjit.

“Ndalesë e tepruar e SPAK-ut për të mos u marrë me objektivin kryesor të saj. Dyndja e dosjeve nga OFL-ja tek SPAK-u e ngarkon shumë me kapacitetet që ka duke u marrë me makinat e bllokuara dhe SPAK del jashtë funksionit që ka”, tha  ai.

Sa i takon përgjimeve, në projektligj i lihet afat ministrit të brendshëm, prokurorit të përgjithshëm dhe drejtuesit të SPAK të nxjerrin një udhëzimi i përbashkët për përdorimin e masave të veçanta si dhe aktet nënligjore brenda 3 muajve nga miratimi.

Tregime të lidhura