Aktualitet

1.15 miliardë euro në ndihmë të Shqipërisë, kryeministri Rama: Kaloi edhe imagjinatën më të shfrenuar

Përditësimi i fundit: 17/02/2020 - 18:32
Text size Aa Aa

Komisioneri Evropian i Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi deklaroi në përfundim të konferencës së donatorëve se BE si organizatore ishte shumë krenare për grumbullimin në total të 1.15 miliardë eurove në ndihmë të Shqipërisë për ringritjen nga tërmeti.

Ai ftoi kryeministrin Rama të mbante një fjalë falenderuese, ndërsa ky i fundit zgjodhi të citojë dy librat e shenjtë Biblën dhe Kuranin për të shprehur me fjalë ndjesinë e tij për këtë përgjigje në ndihmë të vendit.

"Kjo është përtej imagjinatës, nuk di çfarë të them, por më lejoni të jem mistik se në ç'mënyrë tjetër mund të shpjegoj gjithë këtë," tha kryeministri.

Më lini të citoj diçka nga Bibla, Korinthët ku thuhet: "Sepse në një frymë u pagëzuam në një trup e të gjithë pimë nga e njëtja frymë, nëse një pjestar vuan, të gjithë vuajme së bashku. Nëse një pjesëtar nderohet të gjithë nderohen së bashku. Unë jam i nderuar, shpresoj të gëzoni për mua dhe Shqipërinë," u shpreh i emocionuar z. Rama.

Kryeministri tregoi disa detaje rreth prishtmërive të delegacionit shqiptar nga konferenca.

"Nevoja ishte kaq e madhe, arrijmë te 40 për qind e gjithë shumës mund të kthehemi në shtëpi pa ankth, po të arrijmë 50 për qind mund të ndihemi se kemi pasur sukses, po të arrijmë më tepër se 50% të vlerës mund të themi se ishte magji," u shpreh ai.

"Nuk mund të largohem pa e mbyllur me Kuranin dhe s'gjej dot shembull më të bukur se ky që ndodhi sot: Njerëzimi është një komb i vetëm!" - përmbylli kryeministri.

Llogaridhënia, Rama: Me ndihmën e amerikanëve, do kemi një akademi transparence për rindërtimin

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në konferencë për mediat në mbyllje të Konferencës së Donatorëve, të mbajtur sot në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë të rindërtohet pas tërmetit, nuk e fshehu faktin se shifra e grumbulluar ishte përtej imagjinatës së tij më të shfrenuar, ndërkohë që nuk i kurseu falënderimet dhe mirënjohjen e pafundme për presidentet e KE, Ursula Von der Leyen si iniciatore dhe organizatore e kësaj konference të suksesshme.

“Nuk do ta harroj kurrë telefonatën tënde ndërsa kthehesha nga zonat e ndërtuara rëndë në familjet që humbën më shumë se 2/3 e pjesëtarëve të tyre.

Më kujtohet ajo që the, që përtej fjalëve mjaft të sjellshme të ngushëllimit premtuat se nuk do të ishim kurrë vetëm.

Dhe vërtetë, do të këndoja edhe himnin e Liverpulit për ty sot se është tejet e jashtëzakonshme ajo që dëshmuam. Pa asnjë dyshim nuk varet me vlerën e asaj që gjithkush dha, por me atë solidaritet për të treguar përmes pranisë për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët”, - tha z. Rama.

Kryeministri premtoi se qeveria do të ishte plotësisht transparente në procesin e menaxhimit të fondeve në procesin e rindërtimit, madje shkoi edhe më larg, teksa zbuloi se me ndihmën amerikane do të kemi një akademi transparence që do të zhvillohet si strukturë që do të vlerësojë kriteret e tenderëve dhe procedurave publike.

“Miqtë tanë amerikanë nuk erdhën me shumë para, por me argumente me mënyrën si të sigurohemi që kaq shumë para të përdoren në mënyrë transparente. Ata janë bujarë për të eksportuar standarde. Unë iu kërkova për një akademi transparence që do të nisë dhe rindërtimin dhe do të zhvillohet si strukturë që do të vlerësojë kriteret e tenderëve dhe procedurave publike”, - tha kryeministri.