Aktualitet

Letra e Varhelyit në përgjigje të thirrjes së Shqipërisë për ndihmë nga coronavirusi dërguar kryeministrit Rama

Përditësimi i fundit: 25/03/2020 - 22:00
Text size Aa Aa

Komisioneri europian i Zgjerimit dhe Fqinjësië, Oliver Varhelyi i ka dërguar një letër kryeministrit shqiptar Edi Rama më 24 mars, ku i përgjigjet lidhur me kërkesën e Shqipërisë për ndihmë ndaj COVID-19. BE lajmëroi se do të ofrojë 411 milionë euro ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor në ndihmë emergjente dhe për rimëkëmbje pas coronavirusit.

Letra 

"I dashur Kryeministër,

Do të doja t'ju falënderoja për letrën tuaj të 19 marsit, e dërguar përmes ministrit Ahmetaj, për sa i përket mundësive se si BE-ja mund ta mbështesë Shqipërinë në lehtësimin e krizës nga COVID-19.

Europa gjendet përballë një krize të paprecedentë shëndetësore dhe masa të rëndësishme po ndërmerren në mbarë kontinentin. Në këto kohë të vështira, bashkëpunimi dhe solidariteti janë çelësi. BE-ja i qëndron pranë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për të gjetur mënyra si ta trajtojmë si përhapjen ashtu edhe pasojat.

Po shohim gjerësisht sesi mund ta lidhim Shqipërinë dhe partnerët e tjerë me iniciativat që BE ka marrë si përgjigje kundër pandemisë së COVID-19, si dhe mënyrat më të mira sesi mund të lehtësojmë impaktin socio-ekonomik. Për sa i përket shtetasve të rajonit që kanë mbetur në BE, Komisioni është gjithashtu në bisedime me vendet anëtare për qytetarët e ardhur nga vendet e treta, që e kanë gjetur veten në një situatë ku iu ka kaluar afati i qëndrimit si rrjedhojë e kufizimeve në udhëtime.

Për sa i përket ndihmës financiare, i kam udhëzuar shërbimet e mia që të 

- vënë në përdorim deri në 4 milionë euro për nevoja emergjente, të cilat do të financohen përmes strukturave të integrimit europian

- rialokojnë buxhetin e programit ekzistues mbështetës të përfshirjes sociale për t'iu përgjigjur më mirë nevojave shoqërore që shkaktohen nga COVID-19. Për më shumë, të fillojë puna në mobilizimin e 11 milionë eurove përmes shpërblimit për performancën për të zgjeruar buxhetin e programit mbështetës për përfshirje sociale.

- riorientimi i programeve në mënyrë që të ndihmohet sektori privat dhe të përmirësohet likuiditeti. Kjo mund të përfshijë deri në 35 milionë euro nga programet e planifikuara në sektorin e ekonomisë qarkore, për të drejtën e pronësisë dhe shtetit ligjor. Në parim do të ruajmë projektet e planifikuara më parë për programet në vazhdim.

Për më tepër, ne po punojmë së bashku me Institucione Ndërkombëtare Financiare për të parë si ta trajtojmë sa më mirë likuiditetin dhe problemet financiare të sektorit privat dhe po shqyrtojmë se si strukturat shumë-kombëshe, si fondet e Garancisë së Ballkanit Perëndimor, mund të ndihmojnë sa më mirë në rajon.

Gjithashtu po punojmë nga afër me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe Sekretariatet e CEFTA për të trajtuar çështjet që ndikojnë mbi furnizimin e mallrave të domosdoshme për të lehtësuar lëvizjen e mallrave brenda dhe me BE-në. Kërkesa juaj që pikat e kalimit kufitar me BE-në të konsiderohen si pjesë e propozimit për vijën e gjelbër nga Komisioni, është marrë parasysh në Komunikatën e miratuar në 23 mars. Ne bëjmë thirrje për bashkëpunimin tuaj të plotë për të punuar të bashkuar si rajon, sepse vetëm përmes bashkëpunimit dhe solidaritetit mund të përballohet një sfidë e kësaj përmase.

Kjo është një situatë që po zhvillohet me shpejtësi dhe do të na duhet të përshtatemi sipas këtyre rrethanave. I kam kërkuar kreut të Delegacionit tonë, Ambasadorit Soreca dhe ekipit të tij në Tiranë që të parashtrojë së bashku me ju në çuarjen përpara të kësaj, ndërsa shërbimet në Bruksel do t'ju përditësojnë rregullisht nëpërmjet Misionit tuaj."

 

Lexoni gjithashtu

Si do të ndahen 411 milionë euro ndihma të BE për vendet e Ballkanit Perëndimor

Komisioneri për Zgjerim: 373 mln € për Ballkanin, 38 mln € për ndërhyrje të menjëhershme

Tregime të lidhura