Aktualitet

7 viktima nga COVID-19 në Shqipëri, ndërron jetë në spitalin infektiv pacientja 85-vjeçare

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 23:08
Text size Aa Aa

Gjatë mbrëmjes së sotme ndërroi jetë një paciente 85-vjeçare nga Tirana, e cila ka mbërritur gjatë pasdites në spitalin infektiv, në gjendje të rëndë - njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Sipas mjekëve, e moshuara vuante nga disa sëmundje kronike dhe u konfirmua me COVID-19 në spitalin Infektiv.

85-vjeçarja është viktima e shtatë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Deri të enjten më 26 mars, vendi pati 174 raste të konfirmuara me coronavirus dhe 1144 raste të testuara.

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 103 testim.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar dhe prej tyre 3 raste janë në terapi itensive 2 janë të intubuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Tropojë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, Elbasan, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Nga të prekurit, rezultojnë 4 raste pozitive të moshës pediatrike, kontakte të rasteve pozitive, janë pa shenja klinike dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë i bëri thirrje qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm në rast të shfaqjes së shenjave të sëmundjes dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare në numrin 127!

Tregime të lidhura